Dhuruesja e veshkës së artistes Selena Gomez, aktorja Francia Raisa, ka reaguar për herë të parë ndaj zërave për një përçarje mes tyre dhe ndaj faktit që nuk ishte e ftuar në dasmën e këngëtares me producentin Benny Blanco.
Aktorja 37-vjeçare, e njohur nga serialet “Grown-ish” dhe “How I Met Your Father”, ka thënë se nuk ka asnjë konflikt me Gomezin, të cilës i dhuroi njërën nga veshkat e saj në vitin 2017, pasi këngëtarja vuante nga komplikimet e sëmundjes lupus.
“Po më pyet për gjëra që janë vetëm thashetheme të mediave. Unë s’kam thënë asgjë. Kur doli lajmi sikur isha zemëruar sepse Selena pinte duhan, as që isha në dijeni për ata zëra”, u shpreh Raisa në një intervistë me gazetaren Magaly Ortiz, ka raportuar The New York Post.
Raisa ka shpjeguar se edhe TMZ i ishte drejtuar për koment, por ajo ishte në punë.
“Pra, po më pyesni për thashetheme. Askush nuk e di çfarë po ndodh, dhe as unë, as ajo nuk kemi folur për këtë. Ndoshta një ditë do ta sqarojmë”, ka thënë aktorja.
Megjithatë, Raisa mungoi në dasmën private të Gomezit dhe Benny Blancos, e cila u mbajt më 27 shtator në Santa Barbara, Kaliforni.
Në intervistën me Ortiz, Raisa u tregua e qetë dhe mirënjohëse për marrëdhënien e tyre.
“Jam shumë e lumtur për të. Ajo ka jetën e saj, tashmë është miliardere dhe jam mirënjohëse që kam mundur ta ndihmoj atë”, ka thënë Raisa.
Në vitin 2017, Gomez kishte ndarë publikisht historinë e transplantit, duke postuar fotografi nga spitali, ku të dyja mbanin duart e njëra-tjetrës.
“Nuk ka fjalë për ta përshkruar mirënjohjen time ndaj mikeshës sime të bukur, Francia Raisa. Ajo më dha dhuratën dhe sakrificën më të madhe duke më dhuruar veshkën e saj. Jam jashtëzakonisht e bekuar. Të dua shumë, motër”, kishte shkruar këngëtarja në Instagram.

Megjithatë, në vitin 2022 nisën sërish zërat për përçarje, pasi Gomezi në një intervistë për Rolling Stone pati thënë se kurrë nuk është ndjerë pjesë e ndonjë grupi vajzash ‘cool’ që ishin të famshme.
“Mikja ime e vetme në industri është Taylor Swift”, pati thënë ajo.

Pas kësaj, Raisa kishte komentuar poshtë një postimi në Instagram me fjalën “Interesting” (“Interesante”), koment të cilin më vonë e fshiu.
Në mars të vitit 2023, Gomezi e quajti Raisan “mikeshën time më të mirë”, duke shtuar se “kurrë, kurrë, kurrë s’do të jem më në borxh ndaj dikujt sesa ndaj Francias, për dhuratën e saj të jashtëzakonshme”.

Në të njëjtin vit, në një intervistë të mëvonshme, babai i Raisas, Renán Almendárez Coello, pati thënë për “Primer Impacto” se vajza e tij i kishte kërkuar Gomezit të mos pinte pas transplantit.
“Francia i tha Selenës se nuk ia dha veshkën që ajo të dilte e të pinte”, pati deklaruar ai.
Por, Raisa më vonë mohoi se ndonjë debat mes tyre kishte lidhje me transplantin.
“Ndonjëherë njerëzit kanë nevojë të qëndrojnë larg për t’u rritur. Marrëdhëniet mund të jenë të ndërlikuara. Duhej të kalonim secila në rrugën tonë për të kuptuar veten”, ka thënë ajo për “Extra TV” gjatë një aktiviteti të fondacionit “Rare Impact” të Gomez.
Aktorja pranoi se kishte kaluar një periudhë të vështirë.
“Duhej t’i jepja vetes pak kohë, ta kuptoja çfarë po ndodhte me mua, sepse nuk isha mirë. Tani jam mirë. Selena më ka mbështetur shumë gjatë gjithë kësaj kohe”, ka thënë ajo.
Gomezi, e cila u fejua me producentin Blanco në muajin dhjetor të vitit 2024, e bëri publike dasmën në Instagram më 28 shtator, duke ndarë fotografi dhe video nga ceremonia me mbishkrimin “9.27.25”.
