Showbiz

“Beauty and the Beast”, vazhdon të prijë në arkat filmike

Edhe në javën e dytë të shfaqjes, filmi i studios Disney, "Beauty and the Beast", shënoi një sukses të kënaqshëm, duke u pozicionuar në vendin e parë të arkave filmike, falë 88.3 milionë dollarëve të fituara nga shitja e biletave.

Filmi është ripërpunim i filmit të animuar të vitit 1991 dhe e rrëfen historinë e vajzës së thjeshtë, por shumë të zgjuar, Belle (e personifikuar në film nga Emma Watson), e cila mbahet peng në pallat nga Bisha (i personifikuar në film nga Dan Stevens). Por, me kalimin e kohës, ajo fillon të shoqërohet me pjesëtarët e tjerë të çuditshëm, të cilët jetojnë në këtë kështjellë madhështore dhe dalëngadalë fillon edhe t’ia zbusë zemrën bishës, e cila mund të shpëtohet vetëm nga dashuria e vërtetë. Në këtë projekt, krahas Watsonit dhe Stevensit, luajnë edhe aktorët Josh Gad, Luke Evans, Ewan McGregor dhe Sir Ian McKellen.

Në vendin e dytë këtë javë e gjejmë filmin debutues, "Saban's Power Rangers", me 40.5 milionë dollarë të arkëtuara nga shitja e biletave nëpër kinema. Filmi i risjell në ekran të madh heronjtë e famshëm që e luftojnë të keqen, të cilët identifikohen nga ngjyra e veshjeve të tyre dhe kështu secili i ka super-fuqitë e veta. Misioni i tyre në këtë film, sikurse në serinë televizive, është ta ndalin të keqen e njohur me emrin Rita Repulsa (e personifikuar në film nga Elizabeth Banks) nga shkatërrimi i botës.

Filmi i studios Warner Bros., "Kong: Skull Island", rrëshqiti për një pozitë, duke u renditur i treti këtë javë, falë 14.4 milionë dollarëve të arkëtuara nga e premtja deri të dielën. Filmi e sjell historinë e një grupi të eksploruesve që aterojnë në një territor të panjohur në Oqeanin Pacifik dhe atje takohen me një gorillë gjigante dhe krijesa të tjera tejet të rrezikshme. Tom Hiddleston në këtë film e luan rolin e një ish-ushtari, i cili e ndihmon ekipin eksplorues në këtë ekspeditë dhe i cili bie në dashuri me personazhin e aktores Brie Larson. Në film po ashtu luan aktori Samuel L. Jackson, në rolin e një veterani të luftës së Vietnamit, Preston Packard, ndërsa regjinë e filmit të mbushur me skena aksion e ka bërë regjisori Jordan Vogt-Roberts.

I katërti në listën e arkave filmike këtë fundjavë u rendit filmi "Life", me protagonist aktorët Jake Gyllenhaal dhe Ryan Reynolds. Ata vijnë në rolin e dy astronautëve, të cilët e gjejnë një krijesë në Mars dhe mundohen ta studiojnë atë në laboratorin e stacionit ndërkombëtar hapësinor. Por gjërat shkojnë keq kur krijesa e njohur me emrin Calvin lirohet nga laboratori dhe fillon t’i vrasë të gjithë astronautët në përpjekje për të mbijetuar. Filmi nga e premtja deri të dielën i ka arkëtuar gjithsej 12.6 milionë dollarë. Pritet të shihet nëse suksesi i tij do të vazhdojë edhe në javët e ardhshme.

Top pesëshja u plotësua me filmin e njohur të zhanrit aksion, "Logan". Ky projekt e arriti këtë sukses falë arkëtimit të 10.1 milionë dollarëve nga shitja e biletave. Me protagonist aktorin Hugh Jackman, në vazhdimin e fundit të filmit që flet për personazhin e librave komikë Wolverine, rol kyç luan edhe aktori Patrick Stewart, duke e përsëritur rolin e profesorit Charles Xavier. Ky konsiderohet të jetë vazhdimi i dhjetë në serinë e filmave X-Men dhe deri më tani projekti ka marrë kritika pozitive nga adhuruesit e filmit.