Këngëtares së njohur Celine Dion i është ofruar mundësia për të performuar në spektaklin e hapjes së Lojërave Olimpike në Paris gjatë verës.
56 vjeçja pati treguar se ka shumë dëshirë t’u rikthehet performancave pasi u diagnostikua me sindromën e muskujve të ngurtë.
Një burim i afërt me kanadezen i ka thënë gazetën “The Sun” se nuk është sekret që ajo ka shumë dëshirë të rikthehet në skenë.
“Parisi do të ishte mundësi e përsosur që ajo ta bënte rikthimin, kur krahasohet me oferta të tjera, që janë show i plotë. Dalja në skenë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike do të thotë se ajo do të performojë vetëm një këngë”, ka thënë burimi.
Ani pse ajo është shumë e entuziazmuar të performojë, ende nuk dihet se a do të ndodhë.
“Oferta zyrtare për performancë është bërë me herët gjatë këtij viti dhe Celine po punon shumë në mënyrë që të mund ta realizojë. Ka bërë përparime të mëdha dhe po bëhet më e fortë çdo ditë, por nuk është ende krejtësisht e gatshme”, ka shpjeguar burimi.
Ndërkohë, Celine pati thënë se po dëshiron të rrisë vetëdijen e njerëzve për sëmundjen që ka, përmes një dokumentari, i cili tani është duke u shfaqur në Prime dhe titullohet “I Am: Celine Dion”.
“Vitet e fundit kanë qenë sfidë e madhe për mua deri sa e zbulova sëmundjen që kam dhe kur mësova se si të jetoj me të e ta menaxhoj, por të mos e lë të më mposhtë”, ka thënë Celine.
Ajo ka shtuar gjithashtu se teksa rruga e saj për t’u rikthyer në skenë vazhdon, e ka kuptuar se sa shumë i mungon mundësia për t’i parë adhuruesit.
“Përgjatë kësaj mungese, kam vendosur ta dokumentoj këtë pjesë të jetës time, të rris vetëdijen për këtë sëmundje për të cilën dihet shumë pak në mënyrë që t’i ndihmoj tjerët që janë të diagnostikuar me të”, ka thënë ylli.