Showbiz

Vajzat e James Brownit tregojnë në dokumentar për periudhën kur babai abuzonte nënën

Vajzat e yllit të ndjerë të muzikës, James Brown, kanë treguar rreth ngjarjeve të rënda kur ai abuzonte me nënën e tyre. Zbulimi i jetës së vështirë u bë në dokumentarin “James Brown: Say It Loud”, të publikuar të martën, raporton People.

Vajzat e Brownit, Deanna Brown Thomas dhe Yamma Brown në këtë dokumentar kanë treguar se kanë gjetur forcën ta falin babanë, i cili ishte abuziv ndaj nënës së tyre, Deidre Jenkins, e cila ishte gruaja e dytë e këngëtarit.

Image

Vajza e madhe e Brownit, Deanna, ka treguar se sa herë që babai i saj ishte i pranishëm, krijonte momente tensionimi, por pavarësisht kësaj, ai asnjëherë nuk e shprehu zemërimin kundrejt vajzave.

“Pata një periudhë kur nuk e doja babanë tim. Nuk e doja për shkak të sjelljeve të tij. Kam parë e dëgjuar shumë gjëra ndërsa rritesha, të cilat do të kishin mundur të më dëmtojnë përjetë. Por ai nuk ka pasur asnjë lloj zemërimi me ne sepse ne ishim vajzat e tij. Ajo që ndodhi ishte një situatë në mes burrit e gruas. Ka lloje të ndryshme të dashurisë e edhe rrethana të ndryshme”, ka thënë Deanna.

“Kur e sheh një anëtar të familjes se është duke u lënduar, natyrisht që s’ke ndjenjë të mirë për personin që po e lëndon”, ka thënë 51-vjeçarja Yamma.

Ajo ka treguar se sa ndikim të rëndë kanë pasur momentet kur ndodhej në mes të përleshjeve të prindërve ndërsa babai ishte abuziv. Ajo ka kujtuar kohën kur ndodhi një përleshje në mes prindërve e ajo u hodh në mes tyre në mënyrë që ta ndalonte babanë që të mos e godiste nënën.

“Mendoj se çdo kush që ka pasur një përvojë të tillë e di që duhet të flasë rreth kësaj teme e të pranohet realiteti në mënyrë që të tejkalohen ndjenjat e këqija që të kaplojnë kur e kujton atë ndodhi”, ka vazhduar ajo.

James u divorcua nga Jenkins, në vitin 1981, dhe ajo e fali më kalimin e kohës.

Image

“Babai i kërkoi falje nënës, por nuk dua të them se kjo gjë fshiu gjithçka, por ai kishte dhembshuri në zemrën e tij dhe nëna e dinte”, ka sqaruar Yamma.

Kur ai u martua me gruan e tij të tretë, Adrianne Rodriguez, Brown ishte arrestuar disa herë pasi supozohej se e kishte sulmuar.

Brown i cili u bë i njohur përgjatë shekullit të kaluar si ndër emrat më eminent të zhanrit të muzikës “soul”, vdiq në moshën 73-vjeçare në dhjetor të vitit 2006.