Këngëtarja e njohur amerikane, Taylor Swift, sërish ka rënë pre e keqpërdorimeve nëpërmjet inteligjencës artificiale.
Këtë herë ajo u bë viktimë e disa fotografive dhe videove eksplicite që u krijuan nga inteligjenca artificiale, e të cilat qarkulluan në rrjetin social “X”, raporton CNN. Pamjet janë parë dhjetëra miliona herë nga shumë përdorues derisa u fshinë nga platformat e rrjeteve sociale.
Zëdhënësit e këngëtares nuk iu përgjigjën ftesës për të komentuar mbi këtë çështje e as kompania “X”.
Incidenti vjen në vitin kur do të ndodhin zgjedhjet presidenciale në SHBA, gjë që ka ngritur shqetësime se sa dezinformuese mund të jenë përmbajtjet që krijohen nga AI-ja, e të cilat mund të përdoren për të mashtruar opinionin publik e të shkatërrojnë edhe procesin e votimit.
“Ky është një shembull tipik se ajo që krijohet nga AI-ja mund të përdoret për arsye të ndryshme pa pasur mjaftueshëm masa mbrojtëse të cilat do të mund të parashiheshin të mbrojnë rrethin publik”, ka thënë Ben Decker, i cili drejton agjencinë e hetimeve digjitale, “Memetica”.
Ai gjithashtu ka cekur se kompanitë e mediave sociale nuk kanë në të vërtetë asnjë plan konkret efektiv që mbikëqyr llojin e përmbajtje së postimeve që bëhen nëpër to.
“Kompanitë e AI-së, mediave sociale, rregullatorët e shoqëria civile, nuk janë duke folur për të njëjtat çështje e as nuk janë në të njëjtin mendim rreth çështjes se si t’u qasen problemeve të tilla”, ka shtuar ai.
Ndërkohë fansat e yllit Swift kanë shprehur mllefin e tyre kundër inteligjencës artificiale përmes rrjeteve sociale, gjë që ka bërë që kjo çështje të bëhet ndër shqetësimet më të mëdha publike.
“Kur ka figura aq të mëdha si Swift, e cila u targetua, ndoshta kjo gjë mund të ndikojë tek ligjvënësit që të ndërmarrin hapa të mëdhenj kundrejt këtyre kompanive, sepse njerëzit nuk do të lejojnë që një nga personat më të dashur në Amerikë të bije pre e mashtrimeve të tilla”, ka thënë Decker.