Showbiz

Pink tregon për problemet që kishte me drogën

Këngëtarja e mirënjohur amerikane Pink në një intervistë për jetën e saj, ka treguar për problemet që ka pasur me drogën.

Fituesja e çmimit “Grammy”, ka thënë se ka konsumuar shumë substanca narkotike sa ishte adoleshente.

“Pastaj e lash. E përfundova. Ishte tepruar”, ka thënë Pink për “60Minutes”.

44-vjeçarja ka treguar po ashtu se gati sa nuk vdiq nga mbidoza. Ajo gjithashtu ka bërë të ditur se shoqja e saj e ngushtë vdiq nga mbidoza me heroinë në moshën 14-vjeçare.

Në shtëpinë e Pinkut kishte probleme familjare dhe gjatë gjithë kohës dikush me dikë zihej.

“Nëna e babai e urrenin njëri-tjetrin”, ka thënë ajo duke shpjeguar se këto janë arsyet se pse u hyri rrugëve të këqija dhe përveçse që po konsumonte drogën, Pink edhe po e shiste.

Këngëtarja ka treguar se pati lënë edhe shkollën dhe po shkonte vetëm nëpër festa që nga mosha 12 deri në 15 vjeç.

Ylli ka treguar se mbidoza ishte ajo që e bëri të vendosë që ta linte përfundimisht drogën. “Nuk kam marrë drogë kurrë më. Kjo është ajo çka bëj unë, kur e ndaj mendjen për diçka, e përfundoj”, ka thënë tutje ajo.

Pink gjithashtu ka treguar se përderisa ishte fëmijë ishte shumë person i vështirë për t’u përballur. Mirëpo gjithashtu ka pohuar se ky qëndrim i saj ishte faktori që e ndihmoi përgjatë karrierës në muzikë.

“Asnjëherë nuk kam marrë një kontratë për shkakun se kam qenë e lezetshme. Mora kontratë sepse isha e flaktë, kisha shumë për të thënë dhe kisha zë”, ka thënë Pink.