Ylli i njohur i kinematografisë, Jessica Chastain, thotë se pranimi i shpërblimit “Ikonë” në Festivalin ndërkombëtar të filmit në Zurich, ishte një eksperiencë jashtëzakonisht emocionale për të.
“Është një nderë i madh dhe ende jam në shok për këtë që ndodhi. Një veprim shumë i këndshëm, por definitivisht meritat i takojnë njerëzve të jashtëzakonshëm me të cilët kam punuar ndër vite, të gjithë regjisorët dhe aktorët që më kanë inkurajuar të rrezikoj me role në karrierën time. Ekipet e njerëzve të talentuar që janë kujdesur për dukjen time dhe më kanë ndihmuar të futem në botën e personazheve që i kam portretizuar. Të gjithë skenaristët që kanë shkruar skenare mbresëlënëse. Pra, sonte unë qëndroj këtu së bashku me të gjithë bashkëpunëtorët e mi”, tha Chastain gjatë parakalimit mbi qilimin e gjelbër pak minuta para ceremonisë.
Aktorja dhe producentja e shumëshpërblyer po ashtu tha se është e lumtur që Shoqata e Skenaristëve në Hollywood ka arritur marrëveshje me studio incizuese duke i dhënë fund grevës pesë mujore, dhe shpreson që e njëjta të ndodhë edhe me Shoqatën e Aktorëve.
“E dini, takimet mes Shoqatës së Aktorëve dhe Aleancës së Prodhuesve të Filmit dhe Televizionit po vazhdojnë, dhe unë shpresoj që do ta kenë të njëjtën gatishmëri për të arritur marrëveshje sikurse Shoqata e Skenaristëve. Asgjë nuk përfundon deri sa ta kemi kontratë të drejtë për të gjithë”.
Chastain në Festivalin e filmit në Zurich e promovoi edhe filmin e saj të fundit, “Memory”, të cilin asaj iu lejua ta promovonte për shkak të një marrëveshjeje të përkohshme.
“Gjëja e mrekullueshme e krijimit të një marrëveshjeje të përkohshme është që me të vërtetë ndriçon prodhuesit e pavarur që janë të gatshëm të nënshkruajnë këtë kontratë me Shoqatën e Aktorëve dhe dëshmojnë se në të vërtetë kërkesat e kësaj shoqate janë të arsyeshme dhe realiste, prandaj shpresojmë se Aleanca e Prodhuesve të Filmit dhe Televizionit do të ndjekë shembullin e tyre”.
Drama “Memory” vjen me regji të meksikanit Michel Franco, dhe e rrëfen historinë e dy personave që rinovojnë raportin mes tyre në një ndejë të ribashkimit të shkollës së mesme.
Në filmin po ashtu luajnë aktorët Peter Sarsgaard dhe Josh Charles.
Përgatiti: Edona Binaku
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.