Showbiz

Angelia Jolie u shpëtua nga fëmijët e saj

Aktorja dhe filantropja e famshme, Angelina Jolie, është shpëtuar nga fëmijët e saj.

Ajo thotë se nuk është ndier vetvetja për një dekadë, pasi iu nënshtrua një operacioni për të reduktuar rrezikun e kancerit të gjirit dhe më pas iu desh të përballej me një proces të gjatë dhe të vështirë të shkurorëzimit.

Ylli i filmit “Eternals”, e cila i ka gjashtë fëmijët, Maddox, Pax, Zahara, Shiloh, Vivienne dhe Knox, me ish-bashkëshortin Brad Pitt, e pranon se jeta e saj ndryshoi plotësisht kur e adoptoi djalin e madh dhe tani beson se do të fundosej nëse nuk do ta kishte familjen afër për ta inspiruar që të mos dorëzohet asnjëherë.

“Unë isha 26-vjeçare ku u bëra nënë. Dhe nga ai moment e gjithë jeta ime ndryshoi. Fëmijët më kanë shpëtuar dhe më kanë mësuar të ekzistoj më ndryshe në këtë botë. Mendoj se vjetëve të fundit, nëse nuk do ta kisha dëshirën dhe vullnetin për të jetuar për ta, atëherë do të fundosesha në errësirë”, deklaroi Jolie për revistën “Vogue”.

Aktorja 48-vjeçare është krenare se çfarë persona janë bërë fëmijët e saj, veçanërisht për rolet e tyre në familje.

“Ata janë më të mirë se unë dhe kështu i duam fëmijët tanë. Natyrisht, unë jam nënë dhe shpresoj se më konsiderojnë si vendin e tyre të sigurt dhe stabil. Por, gjithashtu jam personi me të cilin bëjnë shaka. Çdo ditë e shoh dhe mahnitem me mënyrën se si i menaxhojnë aspektet e ndryshme të familjes”.

Ylli i filmave “Maleficent” gjithmonë i ka inkurajuar fëmijët e saj që ta gjejnë stilin e tyre personal.

“Nuk i mësoj fëmijët se si të vishen. Edhe kur ishin të vegjël, thjeshtë i vendoja disa rroba para tyre dhe secili e bënte përzgjedhjen sipas dëshirës. Unë nuk i obligoj të shkojnë diku nëse nuk dua, thjeshtë dua që ata të jenë vetvetja dhe të lirë në zgjedhjet që i bëjnë”.

Në vitin 2013 kur Jolie ishte vetëm 37-vjeçare, ajo iu nënshtrua një operacioni të vështirë duke bërë mastektomi të dyfishtë, kjo pasi zbuloi se e bartë gjenin BRCA1, që e vë në rrezik të lartë për t’u prekur nga kanceri. Nëna e saj kishte vdekur nga kanceri në vezore në moshë goxha të re.

Tri vjet më vonë aktorja bëri kërkesë për shkurorëzim nga Brad Pitti, duke pohuar se e ka abuzuar emocionalisht dhe fizikisht, atë dhe fëmijët e çiftit. Pitt i mohoi të gjitha akuzat dhe autoritetet vendosën të mos ngrehin padi kundër tij.

Një betejë e ashpër rreth ndarjes së pasurisë së dyshes po vazhdon edhe sot, me ç’rast Jolie e akuzon Pittin për “plaçkitje” të vreshtit në Provence që dikur ata e zotëronin së bashku. Aktorja thotë se ai po përpiqet të mbajë kontrollin e vreshtit, “Château Miraval”, në jug të Francës duke i shitur asetet e tij dhe duke shpenzuar miliona dollarë në “projekte të kota”.

Artikulli i fundit në revistën “Vogue” nuk e përmend fare Pittin apo martesën e aktorëve, dhe e përshkruan Angelinën si nënë të vetme. Por, ajo ndër të tjera ka treguar se në vitin 2016 i ka zvogëluar angazhimet në filma, në mënyrë që të kalojë sa më shumë kohë me fëmijët e saj.

Vjetëve të fundit, Jolie ka hequr dorë nga roli i saj si ambasadore dhe e dërguar speciale për Kombet e Bashkuara, dhe fokusin e ka kthyer drejt biznesit. Projekti i saj i fundit është “Atelier Jolie”, një punëtori e dizajnit që shërben edhe si qendrër kulturore në Nju Jork, dhe ofron shërbime rrobaqepësie dhe riciklimi. Po ashtu e përfshin një kafene të drejtuar në partneritet me organizatat e refugjatëve. Jolie gjithashtu e ka prodhuar një koleksion për markën e njohur të modës, “Chloe”.

Sa i takon angazhimeve në film, një prej projekteve të ardhshëm të Joliet do të jetë biografi dhe e sjell atë në rolin e këngëtares së operës, Maria Callas. Në filmin me titull “Maria” dhe me regji të Pablo Larrain, Jolie do ta portretizojë sopranon e njohur greke me origjinë amerikane.

Po ashtu thuhet se Angelina Jolie dhe Halle Berry do t’i bashkojnë forcat për projektin e ardhshëm të zhanrit triler dhe aksion, “Maude v Maude”, kjo pasi “Warner Bros” i ka siguruar të drejtat autoriale të realizimit të filmit, pas një lufte ofertash me shumë studio. Aktoret e shpërblyera me “Oscar” shërbejnë edhe si producente të këtij projekti. Sipas disa burimeve të afërta, filmi do të ngjajë me hitet e arkave filmike, “James Bond” dhe “Jason Bourne”, por detaje të sakta rreth temës që e trajton apo datës së lansimit nëpër kinema nuk janë zbuluar ende.

Përgatiti: Edona Binaku

 

Image