Showbiz

Katër supermodelet, për herë të dytë në histori, mbulojnë ballinën e prestigjiozes “Vogue”

Descriptive Text

Një ribashkim epokal, e ka quajtur revista “Vogue”, pasi katër supermodelet Linda Evangelista, Cindy Crawford, Christy Turlington dhe Naomi Campbell fuqizohen për një seri të re të përqendruar në jetën e tyre fenomenale, në modë dhe ndonjëherë si supermodele origjinale të pakrahasueshme.

Fotografitë janë bërë nga Rafael Pavarotti kurse stilimi nga Edward Enninful.

Kjo ballinë mbulon edicionin e shtatorit 2023. Ky fotosesion u bë në një studio fotografike në perëndim të Manhattanit ku mori pjesë edhe vet kryeredaktorja e mirënjohur e revistës “Vogue”, Anna Wintour.

Për herë të parë supermodelet Linda Evangelista, Naomi Campbell, Cindy Crawford dhe Christy Turlington u shfaqën në ballinën e revistës së modës “Vogue” para 33 vjetëve, për edicionin e janarit të vitit 1990, me supermodelen tjetër tashmë të ndjerë Tatjana Patitz.

Fotografitë për këtë ballinë atëbotë ishin bërë nga Peter Lindbergh. Fotosesioni u bë në rrugët distriktit “Meatpacking” të New Yorkut.
Në 1990-at modelet kishin veshur “bodysuits” dhe xhinset e famshme Levi’s. Kurse në ballinën e tashme të 2023-ës ato vishen nga brendet si Prada, Bottega Veneta, Versace dhe Michael Kors.

Gazetarja Sally Singer në “Vogue” ka shkruar një artikull të tërë kushtuar supermodeleve më të njohura të të gjitha kohërave. Modelja Cindy Crawford kishte treguar se të gjithë periudhën e pandemisë e kishte kaluar në xhinse të brendit “Yves Saint Laurent”. Kurse aktorja Selma Hayek kishte marrë një fluturim deri në New York vetëm për të bërë një darkë për modelen Linda Evangelista. Ylli Karen Elson ka komentuar se botës i duhen më shumë këso ballinash, nga të cilat ka çka mësohet. Naomi Campell është ajo modele e cila nuk heq dorë kurrë nga takat edhe kur koleget e saj janë zbathur.

Se si shpërtheu kjo ballinë dhe pse vazhdon të magjepsë globin më shumë se tre dekada më vonë, tani është subjekt i një dokumentari me titull “The Super Models”, që do të debutojë më 20 shtator. Njëri nga drejtuesit e dokumentarit Brian Grazer thotë se në qendër të këtij transformimi ishin Christy, Naomi, Cindy dhe Linda, katër adoleshente, kombinimi i rrallë i tipareve jashtëzakonisht fotogjenike, besimi në vete me të cilin ishin lindur, mendjemprehtësia e shpejtë, stili intuitiv, kurioziteti intensiv dhe etika e punës janë tiparet kryesore që bënë që këto modele të bënin krejtësisht ndërrimin për industrinë e modës së atëhershme.

Dhe që atëherë ato kanë vendosur një lloj standardi se si duhet të jetë një modele. Grazer i kishte quajtur yje të rokut, duke treguar se ishin shumë të famshme.

“Por ne nuk ishim ‘The Beatles’”, ka thënë Linda, duke ju referuar botimit të ballinës së 90-ave që mori po aq vëmendje sa kënga e George Michaelit “Freedom!’90”.

Përgatiti: Vita Abrashi –Kajtazi