Këngëtarja me famë botërore e rrënjë nga Kosova, Rita Ora – që më parë ka folur për vuajtjet nga sulmet e panikut qëkur ishte adoleshente – është emocionuar së fundmi teksa ka kujtuar përjetimet e këqija të karrierës së saj. 32-vjeçarja ka thënë se në disa momente ishte gati të humbte gjithçka.
Duke folur në podcastin e Steven Bartlettit, ajo ka rrëfyer mes lotësh.
“Isha në një rrëmujë, jetoja ëndrrën time, por më pas zgjohesha e heshtur dhe nuk ndihesha mirë”, ka thënë ajo. “Kisha ndjenjë se duhej të punoja për ta vërtetuar se jam e mirë në këtë që bëj, isha një ëndërrimtare e re naive dhe kjo është pikërisht ajo që duhet të jesh në atë moshë”.
Këngëtarja e hitit “Praising You” - e cila u bë e njohur në vitin 2012 me megahitin “Hot Right Now” – ka thënë se ka luftuar vazhdimisht me presionin për të pasur hite. Rita ndihej e frikësuar që çdo lëvizje e saj po vëzhgohej dhe gjykohej. E pyetur se çka nuk ka shkuar si duhet, Rita ka thënë se bëhet fjalë për “gabime”.
“Ndihem si e thyer, më bën të ndihem sikur gjithçka që kam bërë është gati të zhduket dhe ma kthen frikën e humbjes së gjithçkaje. Kur bota po të shikon, thjesht vetëm thyhesh dhe frikësohesh”, ka shtuar ajo.
Megjithatë, ajo është e frymëzuar nga forca dhe qëndrueshmëria e prindërve të saj, nënës psikiatre, Vera, dhe babait biznesmen Besniku, të cilët ikën në Londër nga Kosova për luftërave në Jugosllavi, kur Rita ishte foshnjë në vitin 1991. Kjo është forca që Rita thotë ta ketë shtyrë përpara.
“Mendoj vetëm për mamanë dhe babanë sepse kanë punuar kaq shumë për të më sjellë deri në këtë pikë”, ka thënë ajo duke shtuar se përpiqet të rrijë në skenë për hir të mundit të tërë familjes.
Rita megjithatë është shprehur optimiste dhe mendon se e vetmja rrugë në të ardhmen është thjesht të vazhdosh të ecësh përpara.
“Gjithmonë jam përpjekur të jem vetvetja dhe të jem shumë e sinqertë, nuk kam ndryshuar kurrë se kush jam, nuk ia qëlloj gjithmonë, por kush mundet se? Por ndihem më njerëzore, jam thjesht një njeri në fund të fundit”, ka thënë ajo.
Sulmi i saj i parë i panikut ishte kur ajo ishte vetëm 15 vjeç, kur nëna e saj mori vesh se kishte kancer të gjirit. Rita i mban larg sulmet e panikut me seancat e rregullta të terapisë, pa të cilat nuk mendon se do të mund të funksiononte.
Rita e cila është e martuar me regjisorin Taika Waititi – sapo ka publikuar albumin e saj të tretë, “You and I”, i cili prek temën e humbjes së “besimit” të saj për të bërë muzikë para se ta mësojë artin e vetë-dashurisë dhe t’i jepej një shtysë nga bashkëshorti dhe të dashurit e saj.
Rita gjithashtu ka thënë se po mendon se kur dikush është në pikën më të ulët, ka vetëm zgjidhjen që të ngrihet e të vazhdojë përpara, ose do ta pësojë e do të konsumohet.
“Dhe unë e bëra këtë. U ngrita”, ka thënë ndër të tjera ajo.
Përgatiti: Vita Abrashi-Kajtazi