Showbiz

Thellohet përplasja, ish-kompania e Joliet akuzon Pittin për “plaçkitje”

Një përplasje ligjore rreth një prone franceze dhe punishte vere, të cilën dy aktorët me famë botërore, Brad Pitt dhe Angelina Jolie dikur e zotëronin së bashku, vazhdon të përshkallëzohet. Në një dosje të re gjyqësore të siguruar nga CNN, ish-kompania investuese e Joliet, “Nouvel” ka akuzuar Pittin dhe “bashkë-komplotistët” për përpjekjen për të mbajtur kontrollin e “Château Miraval” duke “plaçkitur” pasuritë e saj. “Nouvel” ka kërkuar të paktën 350 milionë dollarë dëmshpërblim.

“Pitt harxhoi pasuritë e kompanisë, duke shpenzuar miliona për projekte koti, duke përfshirë më shumë se një milion dollarë për rinovimin e pishinave, ndërtimin dhe rindërtimin e shkallëve katër herë dhe shpenzimin e milionave për të restauruar një studio incizimi”, thuhet në dokumentin e depozituar të hënën. Ndër të tjera në raport shkruhet se “I zemëruar që Jolie ia shiti ‘Nouvelin’ ‘Stolit’ dhe jo atij, Pitt ka vepruar si fëmijë, duke refuzuar ta trajtojë ‘Nouvelin’ si partner të barabartë në biznes”.

Pitt ngriti për herë të parë padi lidhur me shitjen nga Jolie të pasurisë dhe kantinave të verës në shkurt të vitit të shkuar, duke e quajtur “të paligjshme” sepse, sipas tij, të dy kishin rënë dakord kur blenë pronën që asnjëri nuk do ta shiste pa pëlqimin e tjetrit.

Jolie bëri kundërpadi, duke pretenduar se nuk kishte kurrë ndonjë marrëveshje të tillë dhe se ajo e shiti pjesën e saj të kantinave të verës në përpjekje për të pasur “pavarësi financiare” nga Pitti dhe për të pasur një formë paqeje dhe mbylljeje në këtë kapitull thellësisht të dhimbshëm dhe traumatik të saj dhe të jetës së fëmijëve të tyre.

Ish-çifti bleu pronën dhe kantinat e verës në jug të Francës më 2008.

Jolie kërkoi divorcin nga Pitt në vitin 2016. Ata u shpallën ligjërisht beqarë në vitin 2019, por një marrëveshje e përbashkët kujdestarie e fëmijëve të tyre të mitur nuk është finalizuar ende.