Një padi që akuzonte Dua Lipën për kopjim të hitit të saj të padiskutueshëm, “Levitating”, është hedhur poshtë nga një gjykatë amerikane. Grupi i muzikës reggae në Florida kishte pohuar se kënga e njohur e Lipës, ishte kopje e një prej këngëve të tyre. Por, gjyqtarja e qarkut të SHBA-së, Sunshine Sykes, tha se grupi i quajtur “Artikal Sound System” nuk arriti të argumentojë se autorët e “Levitating”, kanë pasur ndonjëherë qasje në këngën e tyre të publikuar në vitin 2017, “Live Your Life”.
Gjyqtarja, Sykes, i dha grupit një mundësi për të paraqitur një ankesë të re. Ajo gjithashtu refuzoi kërkesën e tyre për ta zhvendosur çështjen gjyqësore në New York.
Në ankesën e paraqitur në vitin 2022, thuhet se është pothuajse e pamundur që kënga “Levitating” të jetë krijuar në mënyrë të pavarur, marrë parasysh shkallën e ngjashmërisë midis melodive, harmonive dhe elementëve të tjerë të dy këngëve.
Avokati i bendit “Artikal Sound System”, Stewart Levy, tha se vendimi i gjykatës ishte zhgënjyes dhe se ata po shqyrtojnë hapat e tyre të ardhshëm. Përfaqësuesit e këngëtares me prejardhje kosovare nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave të mediave për koment rreth këtij lajmi.
“Levitating” i kaloi gjithsej 77 javë në toplistën e 100 këngëve më të mira “Billboard”, si dhe shënoi suksese rekordthyese në të gjitha platformat muzikore. Aktualisht i numëron më shumë se 740 milionë shikime në YouTube.