Showbiz

Filmat më të shikuar të javës në arkat filmike

 

Ishte një debutim i suksesshëm për filmin “The Little Mermaid ”. Ripërpunimi i fundit i studios “Disney” i filmit klasik të animuar, arriti që për pak ditë t’i arkëtojë më shumë se 95.5 milionë dollarë nga shfaqja nëpër 4,320 kinema të Amerikës Veriore. Projekti i cili në rolin e sirenës Ariel e sjell aktoren dhe këngëtaren, Halle Bailey, dhe armiken e saj Ursula e portretizon ylli i komedisë, Melissa McCarthy, pritet që në javën e ardhshme të vazhdojë të dominojë për nga shikueshmëria.

Në pozitën e dytë këtë javë e gjejmë filmin hit të arkave filmike, “Fast X”, me 23 milionë dollarë të fituara. Pas dy javësh shfaqje nëpër kinematë e Amerikës Veriore, ky projekt i arkëtoi gjithsej 108 milionë dollarë. Në vazhdimin e dhjetë në serinë e filmave aksion, “Fast and Furious Saga”, ngjarja zhvillohet në Vatikan ku kryepersonazhi Dom Toretto dhe ekipi i tij, mundohen ta ndalojnë shpërthimin e një bombe jo të zakonshme. Po ashtu, vihet në fokus arsyeja prapa urrejtjes së personazhit të ri në film, Dante, për protagonistin Toretto, e cila siç duket rrjedh prapa nga vazhdimi i pestë “Fast and Furious”. Dante zbulohet se është djali i Herman Reyes, personazhi i keq të cilin Dom e kishte vrarë gjatë një grabitjeje në Rio De Janeiro. Tani ai po kërkon të marrë hak, duke e kërcënuar familjen dhe ekipin e Torettos, por edhe qindra mijëra njerëz të pafajshëm. Krahas protagonistit Vin Diesel, në “Fas X” po ashtu luajnë aktoret e shpërblyera me “Oscar”, Helen Mirren dhe Charlize Theron, si dhe yjet tjerë të Hollywoodit, Jason Statham, Michelle Rodriguez, Tyrese Gibson, Ludacris, John Cena, Jason Momoa, Rita Moreno dhe Brie Larson.