Vdiq ikona e muzikës rock, Tina Turner

Këngëtarja Tina Turner ka vdekur në moshën 83-vjeçare.
Në një deklaratë nga përfaqësuesja e saj thuhet se ajo ka vdekur sot.
“Tina Turner, ‘Mbretëresha e Rock’n Rollit ka vdekur sot e qetë në moshën 83-vjeçare pas një sëmundjeje të gjatë në shtëpinë e saj në Kusnacht afër Cyrihut, Zvicër. Me të, bota ka humbur një legjendë muzikore”, thuhet në njoftim.
E quajtur mbretëresha e rock 'n' rollit, Tina Turner ishte e njohur për performancat energjike në skenë dhe me vokalin e fuqishëm.
Ajo i kishte fituar tetë çmime Grammy, ndërsa ndikim kishte pasur edhe te këngëtarët që më vonë u bënë yje botërore si Beyonce, Janet Jackson, Janelle Moane dhe Rihanna.
Kur Tina Turneri e jeton jetën për vete
Në një pllakë metalike para dyerve të pronës së Tina Turnerit shkruan “Vor 12.00 Uhr nicht läuten, keine Lieferungen”, që besoj se nga gjermanishtja ka kuptimin: “As mos të shkojë mendja ta shqetësosh Tina Turnerin para mesditës”.
Ajo ishte simboli i qëndresës së rock’n’rollit për 50 vjet. “Proud Mary” i saj ishte 175 për qind më i gjatë se origjinali dhe John Fogerty as që vallëzoi. Ajo u bë yll me Ike Turnerin në të 20-at, i iku abuzimit të tij në të 30-at, luftoi për shtegun e saj në krye të listave të popit në të 40-at, i ra botës përqark në të 60-at dhe tani do që të ndalet.

Turner është 79-vjeçare. E pensionuar prej më se dhjetë vjetësh ama ende angazhohet në gjithçka që nuk ka për të bërë.
“Nuk këndoj. Nuk vallëzoj. Nuk i vesh rrobat më të mira”, thotë ajo. Edhe paruka e saj – “pjesë esenciale e pamjes së Tina Turnerit”, siç ka shkruar në memoarin e saj të paradokohshëm – nuk është më e rregulluar më përpikëri si më përpara.
Nuk i mungojnë performacat. Edhe më 2009, teksa po e vazhdonte hovin e ditëve të fundit të turneut të saj “Tina! 50th Anniversary”, ajo po fantazonte, thënë sinqerisht, për ridekorimin e shtëpisë së saj.
Krejt këtë pjesë të jetës e kishte jetuar si Ike, por më pas e zaptoi jetën e saj të përnjëmendtë dhe tani e ka radhën përqendrimi kah peizazhi drejt liqenit në Zürich.
“Thjesht u lodha duke kënduar dhe duke i bërë të gjithë të lumtur”, thotë ajo. “Kjo është e gjitha që kam bërë në jetën time”.
Turneri mund të mos këndojë shumë këtyre ditëve, ama është një ekip i Tinas që performon përreth botës në emër të sajin. Mjuziklli “Tina: The Tina Turner Musical”, bazuar në jetën dhe hitet e saj ka sjellë Tinën në Londër dhe në Hamburg. Së shpejti do ta sjellë edhe në Broadway, kur produksioni 16.5 milionë dollarësh të nisë performacat në Lunt-Fontanne Theater muajin e ardhshëm, me Adrienne Warrenin që vë paruke në kokë.
Nën regji të Phyllida Lloyd (“Mamma Mia!”), mjuzikli mbulon katër dekadat e jetës së Turnerit, duke nisur prej kohës kur ajo ishte Anna Mae Bullock e vogël në Nutbush të Tennessees dhe kapërcen rrufeshëm në të 80-at, kur rritet në yllin e pakontestuar botëror të popit.
Turneri e këshilloi mjuziklin për gjithçka, ia mësoi stafit të gjitha lëvizjet e saj dhe ndau madje përjetimet e veta me hartuesit e punimit. Mori pjesë edhe në përzgjedhjen e Tinës që do ta pasqyronte.
Mjuzikli e portretizon ngritjen e saj si soloartiste dhe romancën e saj me bashkëshortin e tanishëm Bach, ama fillimisht përlot me 16 vjetët që ajo i kaloi me Iken. Ajo u takua me të kur ishte prijësja e kapardisur e një bendi dhe shtatëmbëdhjetëvjeçarja Anna Mae. Ai ia dha namin si performuese, ama në fund pothuajse e shtyri ta urrente muzikën. Ia ndryshoi emrin dhe pastaj ia dha tiparet dalluese, për ta vënë në fund në pronësi të tijën. Ia vodhi përfitimet. I hodhi kafe të nxehtë në fytyrë. Ia theu nofullën. Mes gjithë këtyre, e shtyri të këndonte edhe po që se gjaku i rridhte poshtë fytit.
Është zor të jetësohet një lloj dhune e këtillë fizike dhe psikologjike.
Deri më sot Turneri kurrë nuk e ka shpalosur shtrirjen e njëmendtë të abuzimeve të tij.
“Mendoj se e kisha nga turpi”, tha ajo. “Ndiej se kam thënë boll”.
Dhunën e dokumentoi fillimisht në librin e saj të 1986-s “I, Tina” dhe mu atëherë personaliteti i saj nisi të evoluonte prej një këngëtareje popullore në një legjendë të gjallë.
“Përnjëherë, nuk jeni më një yll në skenë me flokë e këmbë”, thotë ajo. “Keni një jetë. Një jetë të vështirë”. Por kur nisi të flasë, iu desh që ta tregonte e ta ritregonte rrëfimin e saj.
Ama vitin e shkuar, kur mjuzikli “Tina” debutoi në Londër, ajo nuk e kishte më bezdi ta dëgjonte rrëfimin e saj. Madje në rend të parë qe Tina që e shikonte Tinën.
Kur ajo iku nga Ike më 1976, kishte vetëm 36 centë në xhep. Kokën e kishte aq të ënjtur nga goditjet, sa e la pas edhe parukën. Kishte një mal me borxhe. Ama veç kishte bërë nam si soloartiste. Albumin e rikthimit “Private Dancer” e xhiroi më 1984 në Londër ndërsa më 1990 edhe singlin “Foreign Affair”.
Ndërkohë njihet me burrin e saj të tanishëm Bach. Ishte më i ri se ajo ama krejt e kundërta e Ikes.
Kur para disa vjetësh Tina hyri në dializë dhe ishte buzë vdekjes, Bach ia dha veshkën. Dhe në mbrëmjen e shfaqjes së mjuziklit ai ishte përkrah saj. Dallimi qe se Tina po qeshej ndërsa Bach po qante.
Tani ajo ka një vilë dhe kontrollin e plotë të jetës së saj.
Dhe ndonëse proteston – “nuk këndoj, nuk vallëzoj, nuk vishem më bukur” – kur aparatet kthejnë fokusin kah ajo, ajo ndizet. Fryn buzët, drejton trupin dhe ngre kokën lart. E fotografët përzgjedhin këndet më të bukura të divës në veprim.
“The New York Times”
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.