Debutimi fantastik i “John Wick: Chapter 4” në arkat filmike
“John Wick: Chapter 4”, vazhdimi i katërt i filmave aksion të yllit, Keanu Reeves, debutoi në pozitën e parë të arkave filmike duke e fituar shumën më të madhe deri më tani, prej 73.5 milionë dollarësh në arkat filmike të Amerikës Veriore.
Projekti i studios “Lionsgate”, ku Reeves e portretizon vrasësin profesional John Wick, i tejkaloi pritjet e ekspertëve dhe njëkohësisht e shënoi hapjen më të mirë krahasuar me tre filmat e kaluar.
Nga lansimi i filmit të parë në vitin 2014 i cili i pati fituar 14 milionë dollarë në tri ditët e para të shfaqjes, projekti i regjisorit Chad Stahelski është rritur në mënyrë të qëndrueshme me çdo vazhdim, duke fituar gjithnjë e më shumë vëmendjen e publikut dhe duke shitur bileta në numër më të madh. Vazhdimi i dytë i lansuar më 2017, i arkëtoi 30.4 milionë dollarë në javën e parë të shfaqjes, kurse dy vjet më vonë, filmi i tret debutoi me 56.8 milionë dollarë. Në “John Wick: Chapter 4”, personazhi i Reeves zbulon një rrugë për ta mposhtur organizatën “High Table”, por para se ta fitojë lirinë e tij, Wick duhet të përballet me një armik të ri me aleanca të fuqishme në të gjithë globin.
Pas debutimit jo të kënaqshëm me 30.4 milionë dollarë, filmi me superheronj, “Shazam! Fury of the Gods”, këtë javë rrëshqiti në pozitën e dytë me 9.7 miliona dollarë të arkëtuara ekstra. Filmi i cili është pjesë e universit kinematik “DC”, përqendrohet tek një grup i fëmijëve jetimë të cilët transformohen në superheronj të rritur duke e shfrytëzuar fjalën magjike “Shazam”. Kryepersonazhi në moshë të rritur portretizohet nga aktori, Zachary Levi, kurse në moshë të re vjen i portretizuar nga, Asher Angel. Në këtë vazhdim të dytë, superheronjtë e pazakontë përballet me një kundërshtare të re të quajtur Hespera, rol ky i luajtur nga ylli britanik, Helen Mirren.
Në javën e tretë të shfaqjes, “Scream VI” u rendit i treti në listën e arkave filmike, me 8.4 milionë dollarë të fituara ekstra që i shtohen shumës totale të arkëtuar deri më tani, prej 90.4 milion dollarësh.