Ylli i grupit “BTS”, Jimin, e ka publikuar të premten (24 mars) solo-albumin debutues me titull, “FACE”. Krahas tij, këngëtari nga Korea Jugore e lansoi edhe videoprojektin e ri muzikor, “Like Crazy”.
Albumi llogaritet si një eksplorim i përvojës së Jiminit gjatë pandemisë, duke përfshirë pushtimin e ndjenjës së vetmisë dhe sfidave që vijnë me famën. Njëkohësisht e përfaqëson rritjen e tij si person pasi u përball plotësisht me jetën reale dhe veten.
“FACE” po ashtu e përfshinë këngën “Set Me Free”, e cila u publikua në fillim të marsit si dhe versionin në gjuhën angleze të këngës, “Like Crazy”. Disa prej këngëve tjera të këtij albumi janë, “Face-off”, pop balada “Alone” dhe instrumentali, “Interlude: Dive”.
Ndërsa, videoprojektet solo të cilat Jimin i ka realizuar ndër vite janë: “Lie”, “Serendipity” dhe “VIBE”, ku ai shërbeu si artist mysafir në këngën e artistit, Taeyang.
Pak muaj më parë, bendi shumë i dashur nga publiku anembanë botës i informoi fansat se do të pauzojnë përkohësisht nga muzika, dhe se shtatë anëtarët e tij do të fokusohen në krijimin e karrierës si solo artistë. Ata pritet të rikthehen si “BTS” diku rreth vitit 2025.