Ylli i popit, Melanie Brown, ka thënë se nuk do ta thërriste policinë për të raportuar abuzimin në familje, sepse mund të mos merret "seriozisht".
Mel B, një nga anëtaret e grupit “Spice Girls”, i tha BBC-së se ajo do ta raportonte vetëm nëse "i gjithë sistemi" i drejtësisë reformohej nga qeveria.
Ajo u bë një aktiviste për viktimat e abuzimit në familje pasi la atë që ajo e përshkroi si një marrëdhënie abuzive.
Ajo tha se policia kishte nevojë për një edukim më të mirë për zbulimin e "shenjave treguese".
"Unë nuk do të thirrja policinë, sepse nuk do ta dija nëse ata do ta merrnin seriozisht", tha Mel B.
"Nëse unë jetoj këtu dhe dua ta raportoj në polici, nuk e di nëse mund t'i besoj policisë. Nuk e di nëse ata do t'i marrin seriozisht akuzat e mia", tha ajo.
Në tetor, ajo foli në një konferencë për të apeluar për më shumë mbështetje për viktimat e abuzimit në familje dhe tha se ishte në një marrëdhënie abuzive për një dekadë, por e mbajti sekret.
Të dhënat e vitit 2015 tregojnë se vajzat adoleshente në Mbretërinë e Bashkuar raportojnë një nivel të lartë të dhunës seksuale në shkollë. Shifrat sugjeruan se 41% e vajzave të moshës 14 deri në 17 vjeç që ishin në një marrëdhënie intime përjetuan një formë të dhunës seksuale nga partneri i tyre.