Showbiz

Filmi “80 For Brady” e ekranizon pasionin e grave në moshë për futbollin

Kur po e konsideronte rolin protagonist në filmin “80 For Brady”, që i dedikohet sportit, shoqërisë dhe yllit të futbollit amerikan, Tom Brady, aktorja veterane e Hollywoodit, Sally Field, tha se një prej faktorëve që e bindi të përfshihet në këtë projekt ishte fakti se ai i nderonte gratë në moshë të cilat e dashurojnë sportin.

“Mendoj se njerëzit e nënvlerësojnë audiencën e madhe të grave të moshuara, jo vetëm për film por edhe për sport. Unë jam një tifoze e madhe e sporteve dhe në këtë film gjithçka kishte të bënte me miqësinë dhe sportin dhe gratë e moshuara që bëjnë gjithçka për ta parë Tom Bradyn duke luajtur”, tha aktorja në premierën e filmit në Los Angeles.

Krahas aktores Field dhe futbollistit Brady, në film luajnë edhe yjet: Jane Fonda, Rita Moreno dhe Lily Tomlin. Ai vjen i inspiruar nga ngjarje të vërteta dhe e sjell historinë e katër grave të cilët në vitin 2017 udhëtojnë për në kampionatin e futbollit amerikan, “Super Bowl”, për ta shikuar ndeshjen e fundit të idhullit të tyre, Tom Brady.

“Njerëzit nuk e kuptojnë se shumë gra i duan sportet e ndryshme, po ashtu edhe gratë në moshë të shtyrë. Por unë thjeshtë e adhuroj këtë film. Mendoj se ka bërë mrekulli dhe do të bëjë edhe më shumë në këtë drejtim, tani që më shumë njerëz do të kenë rastin ta shikojnë atë. Dhe për mendimin tim, ajo që e bënë edhe më të veçantë projektin është fakti se do të na prezantojë me një audiencë të re. Kjo do të ishte diçka fantastike apo jo?”, deklaroi Rita Moreno për gazetarët e pranishëm mbi qilim të kuq.

Në anën tjetër, ikona e Hollywoodit, Jane Fonda, duket se nuk e ndanë të njëjtën dashuri për futbollin, sikurse mikeshat dhe koleget e saj.

“Unë personalisht jam adhuruese e bejsbollit. Nuk e kuptoj shumë futbollin. Por, po, e vërteta është se gratë e adhurojnë sportin. Prandaj është kënaqësi kur e sheh një film i cili i sjell këto gra të moshuara duke e shfaqur pasionin e tyre dhe duke bërë tifo për heronjtë e tyre atletik”.

Ylli i futbollit, Tom Brady, tha se i ka pëlqyer mesazhi të cilin ky film e bartë, por gjithashtu edhe mundësia për të punuar me katër persona që nuk dëshirojnë të pensionohen kurrë nga puna që e bëjnë.

“Ato punojnë shumë dhe e adhurojnë atë që e bëjnë. Më vjen mirë për to, më kuptoni çfarë dua të them? Kjo ka rëndësi në jetë. Pra të zgjohesh çdo mëngjes me një qëllim. Dhe kur e gjen punën që e ke pasion, është vështirë të ndalosh. Këto gra ende e japin maksimumin në profesionin e tyre, pavarësisht moshës që e kanë. Është vërtetë e mahnitshme t’i vëzhgosh në sheshin e xhirimeve dhe ta shohësh se sa shumë energji kanë. Unë vërtetë u inspirova nga ato dhe kam mësuar shumë nga e gjithë kjo eksperiencë”.

Filmi “80 For Brady” ka filluar së shfaquri nëpër kinema nga 3 shkurt.