Showbiz

Will Smith e konfirmon realizimin e filmit të katërt “Bad Boys”

Aktorët Will Smith dhe Martin Laërence po ribashkohen për një vazhdim të katërt të filmit, “Bad Boys”. Ky do të jetë një prej projekteve më të mëdha të Smithit nga skandali i ceremonisë “Oscar”, kur e goditi me shuplakë kolegun e tij, Chris Rock.

Kompania “Sony Pictures” e bëri të ditur lajmin se filmi i ardhshëm ende i patitulluar, tashmë është në fazat e parapërgatitjes së xhirimeve.

Përmes një videoje të publikuar në Instagram, Smith shihet duke e xhiruar veten brenda veturës teksa udhëton drejt shtëpisë së mikut të tij, Lawrence. Me të arritur në pragun e derës, Smith dëgjohet duke thënë: “Është koha t’ia fillojmë punës”.

Realizimi i filmit “Bad Boys 4”, i cili vjen pas atij “Bad Boys for Life” të vitit 2020, thuhet se u pezullua pas ceremonisë së kaluar të ndarjes së çmimeve “Oscar”. Por, në maj të vitit të kaluar shefi i kompanisë “Sony Pictures”, Tom Rothman, i kundërshtoi këto raporte.

I lansuar pak muaj para se pandemia e koronavirusit t’i mbyllte kinematë anembanë botës, filmi “Bad Boys for Life” u shndërrua në hit të arkave filmike me arkëtimin e 426 milionë dollarëve nga shitja e biletave.