Showbiz

Anna Kendrick në rolin e një viktime të abuzimit emocional

Në filmin e saj më të ri, “Alice Darling”, Anna Kendrick e portretizon një grua në një lidhje emocionalisht abuzive, e cila pranon një ftesë për të udhëtuar në fundjavë që në të vërtetë është një përpjekje e miqve të saj për të parandaluar ndonjë lëndim më të madh.

Me regji nga Mary Nighy dhe skenar të shkruar nga Alanna Francis, filmi trajton abuzimin mendor të një partneri dhe është aq delikat sa publiku nuk është menjëherë i vetëdijshëm për atë që po ndodh.

“Kishte diçka në këtë skenar në të cilin Alanna e krijoi këtë ton dhe këtë atmosferë që ishte aq e sikletshme dhe konsumuese, dhe disi e dija që vjen si e papritur, si momenti i madh bardhë e zi apo një zbulimi i rëndësishëm. Dhe kështu menjëherë mendova se ishte një projekt kaq i veçantë dhe ndryshe”, thotë Kendrick.

Filmi fillon me protagonisten Alice duke darkuar me dy miq (të portretizuar në film nga Kaniehtiio Horn dhe Wunmi Mosaku) që sugjerojnë ta bëjnë një udhëtim së bashku në një kasolle fshati. Në fillim Alice reziston, sepse partneri i saj nuk do të dojë që ajo të shkojë. Por, ajo vendos ta gënjejë atë dhe i thotë se do të largohet për një udhëtim pune.

Për shkak se skenari i Francis nuk merret me abuzim fizik ose verbal, duhet pak kohë për të parë seriozitetin e sjelljes tinëzare në një marrëdhënie. Kjo është diçka që Kendrick thotë se e bën historinë edhe më të fuqishme.

“Mendoj se është shumë e vështirë të tregosh një histori ku nuk je e sigurt se çfarë po ndodh si personazh dhe nuk je e sigurt se çfarë po ndodh si publik. Dhe në fakt më kujtohet që në fillimet e projektit se kemi pasur biseda me aktorët e tjerë dhe me regjisoren Mary Nighy, dhe e dinim se do të ishte e vështirë të siguroheshim që nuk do të jepnim kurrë përgjigje të lehta, sepse kjo në përgjithësi nuk është përvoja e njerëzve me abuzimin”.

Filmi është xhiruar në një lokacion në Ontario. Kendrick tha se ishte një përvojë e mirë për të dhe se ishte e lumtur që po e xhironin një film në Kanada, me një ekip kanadez dhe ku po i portretizonin kanadezët.

“Alice Darling” është duke u shfaqur aktualisht në kinema.