Ylli i muzikës pop, Dua Lipa, ka sjellë atmosferë fantastike në koncertin e së hënës në Tiranë, duke i argëtuar fansat shqiptarë me rastin e festës së 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Me këtë rast, bukuroshja 27-vjeçare me prejardhje nga Kosova e përmbylli turneun e saj shumë të suksesshëm botëror, “Future Nostalgia Tour”.
Në kryeqytetin shqiptar, i interpretoi disa nga hitet më të njohura muzikore, gjersa koncertin e filloi me një fjalim emocionues, ku edhe një herë u deklarua mirënjohëse dhe krenare për origjinën e saj.
“Faleminderit shumë për krejt dashurinë, mbështetjen, energjinë që po na jepni sonte. Kjo është nata e fundit e turneut. Kjo është shfaqja e 94-t për neve. Dhe po e përfundoj sonte në Tiranë me juve”, u shpreh ajo.
Publiku i pranishëm në koncert që ishte i madh në numër, u mahnit dhe u argëtua me magjinë, sharmin, elegancën dhe energjinë elektrizuese të këngëtares dhe ekipit të saj në skenë.
Përfundimisht kjo ishte një performancë e denjë për një yll botëror si Dua Lipa.