Televizioni suedez “SVT” e ka prezantuar gjysmën e parë të formacionit të këngëtarëve konkurrent për edicionin e ardhshëm të festivalit, “Melodifestivalen”, ngjarje kjo që e përzgjedh përfaqësuesin e kombit nordik në garën evropiane të këngës, “Eurovizion”.
Festivali i muzikës popullore, “Melodifestivalen”, rikthehet të shtunën më 4 shkurt dhe zgjat gjashtë javë, me ç’rast 28 artistë nga Suedia konkurrojnë në katër faza të garës, përpara se finalja e madhe të zhvillohet të shtunën më 11 mars 2023.
Ky është një vit i veçantë për “Melodifestivalen” dhe fansat e tij, pasi është hera e parë që do të realizohet turneu i tij i njohur rreth Suedisë, që nga viti 2020.
Një prej këngëtarëve pretendent për ta fituar këtë garë sivjet, duke e fituar kështu të drejtën për ta përfaqësuar një shtet si Suedia në “Eurovizion”, është edhe djaloshi kosovar 16-vjeçar, Rejhan Bellani.
Rejhan bëri emër në Suedi në vitin 2021, si pjesëmarrës në garën muzikore “Sweden’s Got Talent”. Nga atëherë, ai e ka perfeksionuar talentin e tij në studio incizuese gjatë gjithë vitit, si dhe pritet të debutojë si një artist i kompletuar në vitin 2023.
Këngëtari i ri i talentuar këndon, i bie pianos dhe kitarës nga mosha 4-vjeçare. Me rrënjë nga Kosova dhe Bosnia dhe Hercegovina, Rejhani di të performoj në gjuhën shqipe, boshnjake, angleze dhe suedeze.
Kur nuk është duke krijuar muzikë apo duke luajtur futboll, Rejhan Bellani fokusohet në shkollë. Ai studion për ekonomi në shkollën e mesme.
Emrat e 14 artistëve dhe këngëve konkurrente që e vazhdojnë garën e festivalit, “Melodifestivalen”, do të bëhen të ditur të mërkurën më 30 nëntor nga kanali “SVT”.
