Aktorja e njohur australiane, Margot Robbie, e pranoi se tash e ca kohë, një tregim shumë interesant ishte në zhvillim e sipër me studion “Disney”, por fatkeqësisht ky projekt tashmë është anuluar.
Fjala është për një version të ri të filmit “Pirates of the Caribbean”.
“Ne e kishim një ide dhe ka kohë që ishim duke e zhvilluar atë, në mënyrë që të kishim sa më shumë gra në role protagoniste dhe ta ofronim një tregim pak më ndryshe. Mendonim se do të ishte një film goxha ‘cool’ por siç duket, udhëheqësit e studios ‘Disney’ nuk duan ta realizojnë atë”, deklaroi aktorja për revistën amerikane “Vanity Fair”.
Robbie, e njohur për filma të tillë si, “Suicide Squad” dhe “I, Tonya”, ishte caktuar ta udhëheqë kastën e aktoreve të këtij projekti të shumëpritur nga publiku i cili planifikohej të vinte në version të riimagjinuar nga filmi klasik, e që në rolet kryesore e përfshinte një kastë të aktoreve femra.
Ndër projektet e kaluara që janë realizuar në të njëjtën formë janë: “Ghostbusters” me protagoniste aktoret komike, Melissa McCarthy, Kristen Wiig, Kate McKinnon dhe Leslie Jones, si dhe filmi i vitit 2018 “Ocean‘s 8”, i cili në rolet kryesore i solli aktoret: Sandra Bullock, Cate Blanchett, Sarah Paulson, Mindy Kaling, Rihanna, Awkwafina, Helena Bonham Carter dhe Anne Hathaway.
Megjithëse nuk ishin zbuluar detaje rreth temës të cilën do ta shtjellonte filmi, besohej se skenarin e tij po e shkruante skenaristja britanike, Christina Hodson, ndërsa në rolin e producentit të këtij projekti do shërbente sërish, Jerry Bruckheimer.
Por, ajo që dihej sigurt është se ky nuk do të ishte vazhdim i historisë së filmave të kaluar, “Pirates of the Caribbean”, në të cilët Johny Depp e portretizonte kapitenin Jack Sparrow, por do të ishte një tregim tërësisht i ri me personazhe origjinale.
Filmat e kaluar “Pirates of the Caribbean” kanë shënuar suksese të jashtëzakonshme në arkat filmike botërore, me arkëtimin e më shumë se 4.5 miliardë dollarëve që nga lansimi i filmit të parë në vitin 2003.
Roli i fundit i yllit hollywoodian, Margot Robbie, ishte në filmin e regjisorit David O. Russell, “Amsterdam”.