Showbiz

Jim Carrey në listën e të famshmëve që u ndalohet hyrja në Rusi

Presidenti Vladimir Putin ua ka ndaluar hyrjen në Rusi disa të famshmëve amerikanë, kjo për shkak të përkrahjes së tyre publike ndaj Ukrainës në mes të pushtimit të vendit. Tani, kësaj liste i shtohen edhe dy personalitete të njohura kanadeze.

Aktori 60-vjeçar, Jim Carrey, dhe poetja dhe autorja 82-vjeçare, Margaret Atwood, i bashkohen yjeve amerikanë Ben Stiller dhe Sean Penn në listën e personave të cilëve u ndalohet përgjithmonë hyrja në Rusi.

Lista e re vjen pasi Kanadaja i dhuroi 500 milionë dollarë për ushtrinë ukrainase.

Ndërkohë, legjenda e muzikës, Roger Waters, së fundmi deklaroi se ai ka qenë pjesë e listës së zezë të Putinit, nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Muzikanti 79-vjeçar, i cili ka folur publikisht për konfliktin e vazhdueshëm në Evropën Lindore, dyshon se ai është një person i kërkuar në Rusi dhe Ukrainë.

Bashkëthemeluesi i grupit “Pink Floyd” mendon se presidenti i Rusisë në fakt i ka kaluar dy dekada duke u munduar ta shmangë konfliktin me Ukrainën. Por, sipas Watersit, Putini më në fund u inkurajua për ta nisur pushtimin e këtij vendi, për shkak të qëndrimit të vendeve që janë pjesë e NATO-s.

“Rusia nuk duhet të ishte inkurajuar ta pushtonte Ukrainën pasi u përpoqën për 20 vjet për ta shmangur atë, duke sugjeruar masa diplomatike për qeveritë perëndimore”, deklaroi muzikanti.

Roger madje i ka shkruar një letër të hapur Putinit, duke i bërë thirrje për t’i dhënë fund luftës së tmerrshme në Ukrainë.

Image

Sean Penn ka qenë ndër të famshmit e parë që tregoi mbështetje publike për Ukrainën, dhe në fillim të konfliktit udhëtoi drejt këtij vendi për ta xhiruar një dokumentar.

Ndërkohë, në muajin qershor, Ben Stiller, shkoi në Ukrainë për një vizitë në Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët. Ai i vizitoi refugjatët ukrainas në kufirin polak, dhe ndau përvojën e tij në mediat sociale. Aktori e vuri në dukje se miliona njerëz janë detyruar t’i braktisin shtëpitë e tyre, që nga fillimi i luftës me Rusinë.

Ukrainën në këtë kohë të vështirë e kanë vizituar edhe aktorët, Angelina Jolie, Jessica Chestain dhe Liev Shreiber.