Kim Kardashian nderohet me çmim në “Fashion Awards”
Foto: AP
Kim Kardashian u nderua të hënën në “Fashion Awards” të Këshillit të Dizajnerëve të Modës të Amerikës, për linjën e saj të veshjeve.
Ylli i “Keeping up with the Kardashians” e përdori nderin për t'i bërë thirrje stilistëve që të jenë gjithëpërfshirës për të gjitha format e trupit, raportoi Associated Press të martën.
Kardashianit iu dha çmimi i parë i Inovacionit i prezantuar nga “Amazon Fashion” për markën e saj të veshjeve SKIMS. Bashkëthemeluesi, Jens Grede dhe partnerja themeluese dhe zyrtare e produkteve, Emma Grede gjithashtu iu bashkuan Kardashian për të marrë çmimin inaugurues.
Ekuivalenti i çmimeve “Oscar” në industrinë e modës u mbajt të hënën mbrëma dhe u organizua nga aktorja Natasha Lyonne dhe stilistët dhe anëtarët e CFDA-së Joseph Altuzarra, Gabriela Hearst, Aurora James, Lazaro Hernandez dhe Jack McCollough. Mbrëmja përkujtoi historinë e modës amerikane dhe 60 vjetorin e organizatës së modës.
"Ne kemi vënë një theks të fortë që nga fillimi ynë në vazhdimin e formësimit të industrisë për të përqafuar barazinë e madhësisë dhe diversitetin si një zgjidhje dhe jo vetëm një trend, dhe unë shoh që shumë prej jush po bëjnë pikërisht këtë”, tha Kardashian për audiencën me të marrë çmimin.