Ylli amerikan i muzikës, Taylor Swift, ka arritur t’i rrëmbejë dhjetë pozitat e para të toplistës së 100 këngëve më të mira “Billboard”, me këngët e albumit të saj të ri, “Midnights”.
Portali “Billboard” raportoi të hënën (31 tetor) se, Swifti e ka tejkaluar suksesin e reperit kanadez, Drake, i cili e mbante rekordin si artisti i vetëm me nëntë këngë të pozicionuara në dhjetë pozitat e para të kësaj topliste.
“Dhjetë këngë në dhjetë pozitat e para të toplisës së 100 këngëve më të mira. Dhe atë nga albumi im i dhjetë i incizuar në studio. Jam e mahnitur”, shkroi pop këngëtarja 32-vjeçare në rrjetin social Twitter.
10 out of 10 of the Hot 100??? On my 10th album??? I AM IN SHAMBLES. https://t.co/q1n5Zc6pYA
— Taylor Swift (@taylorswift13) October 31, 2022
Albumi i ri i Taylorit u publikua më 21 tetor, dhe i përmban 13 këngë sipas standardit dhe një version ‘deluxe’ me shtatë këngë ekstra, shkruan “The Guardian”.
Me t’u lansuar për publikun e gjerë, “Midnight”, e ka shënuar një prej hapjeve më të suksesshme të një albumi në shtatë vjetët e fundit. “Billboardi” po ashtu raportoi se tani, Swift barazohet me ikonën e muzikës Barbra Streisand, si artistet me më së shumti albume të pozicionuara në vendin e parë të kësaj topliste.
Swift i ka shënuar disa rekorde të reja me albumin “Midnights”. E gëzoi shitjen më të madhe të vitit Brenda javës debutuese, pothuajse duke e dyfishuar numrin e shitjeve të kampionit të kaluar, që është albumi i tretë i kantautorit Harry Styles, “Harry’s House”. “Midnights” po ashtu e gëzon titullin e albumit më të transmetuar të vitit, në javën e parë të lansimit, me gjithsej 72 milionë transmetime.
Albumi i theu edhe rekordet globale në platformën muzikore Spotify, për më së shumti transmetime të një albumi në ditën e parë të publikimit.