Qysh në fillim të intervistës së Kanye Westit me prezantuesin kontrovers Piers Morgan në emisionin, “Piers Morgan Uncensored”, reperi deklaroi se regjisori ikonik Quentin Tarantino dhe aktori, Jamie Foxx, e kanë marrë nga ai idena e realizimi të filmit hit të vitit 2012, “Django Unchained”.
Ye tha se një ide të ngjashme ia kishte propozuar Jamiet, kur po ia shpjegonte vizionin prapa videoklipit të këngës së vitit 2005, “Gold Digger”, ku përfshihej edhe aktori dhe muzikanti Foxx. Produkti final i videoklipit ngjan fare pak me filmin “Django Unchained”, por kjo nuk e ndaloi reperin kontrovers që të deklaronte se tema e këtij projekti të famshëm kinematografik ishte ideja e tij, shkruan revista “Variety”.
“Tarantino mund ta shkruaj një film për skllavërinë, kur në fakt, ai dhe Jamie e morën idenë nga unë. Isha unë ai që ia prezantova idenë e ‘Djangos’, Jamie Foxxit dhe Quentin Tarantinos, por si koncept për videoklipin e këngës ‘Gold Digger’. Dhe më pas, Tarantino e shndërroi atë në një film”, deklaroi Ye gjatë intervistës së realizuar më 21 tetor.
West e ka arritur një nivel të ri të debateve në këto javët e fundit, kjo pasi postoi deklarata antisemitike në rrjetet sociale, veprim ky i cili bëri që ai të bllokohej përkohësisht nga Twitteri dhe Instagrami. Komentet e reperit u pritën me kritika të ashpra nga organizata të shumta hebraike.
Kur iu dha mundësia për të diskutuar për kritikat e fundit rreth veprimeve dhe komenteve të tij në emisionin “Piers Morgan Uncensored”, West tha: “Unë thjeshtë dua ta përqafojë çdo person hebre. Po ashtu, unë i kam zili ata për faktin se nuk i abortojnë fëmijët e tyre dhe nuk e qëllojnë njëri-tjetrin me armë zjarri në rrugë, e më pas të lavdërohen për këtë gjë në këngët e tyre”.
Në të njëjtën intervistë, reperi gjithashtu deklaroi se sikur t’i kishte formuluar deklaratat në rrjetet sociale në mënyrë më të kujdesshme, ai nuk do të ishte aty ku është sot, duke ju referuar intervistës televizive të cilën e kishte siguruar me Piers Morganin.