Kanye West duket se më në fund është i gatshëm ta finalizojë shkurorëzimin me ish-bashkëshorten, Kim Kardashian.
Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga “Page Six”, reperi i cili ka krijuar akademinë muzikore "Donda", ka paraqitur një "deklaratë zbulimi", e cila zakonisht bëhet kur një çështje divorci është në prag të zgjidhjes.
Dokumentet tregojnë gjithashtu se 45-vjeçari ia ka dërguar të gjitha informacionet e tij financiare yllit të reality-showit.
Ndërsa ish-çifti ka rënë dakord se si të ndajë perandorinë shumë miliardë dollarëshe, nuk ka asnjë tregues për arritjen e një marrëveshjeje për kujdestarinë e katër fëmijëve: North, 9 vjeç, Saint, 6 vjeç, Chicago, 4 vjeç dhe Psalm, 3 vjeç. Kjo mund të jetë një betejë e vështirë për Kardashianin.
Pavarësisht se ai dhe Kardashian, e cila paraqiti kërkesën për shkurorëzim nga reperi në vitin 2021, kanë qenë "bashkë prindër", Westi ka thënë në një intervistë së fundmi se ai nuk është i gatshëm të bëjë "kompromis" kur bëhet fjalë për arsimimin e fëmijëve të tij.
Reperi, i cili zyrtarisht quhet Ye dhe Kim Kardashian janë grindur për muaj të tërë se ku t'i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë, pasi ai ka kërkuar që ata të ndajnë kohën midis shkollës së tyre private dhe Akademisë së tij “Donda”.
Megjithatë, Kardashiani thuhet se ka hezituar t'i dërgojë fëmijët e tyre në shkollën misterioze të Westit, e cila ende nuk është akredituar nga Shoqata Perëndimore e Shkollave dhe Kolegjeve.
Themeluesja e “Skims” aktualisht ka kujdestarinë e fëmijëve në 80 për qind të kohës, derisa burime të afërta me ish-çiftin kanë thënë për “Page Six”, se Kim ka refuzuar të komunikojë me ish-bashkëshortin e saj pa ndërmjetësimin e asistentëve.