Showbiz

Blake Shelton do të largohet nga “The Voice”

Ylli i muzikës country, Blake Shelton, e ka konfirmuar lajmin se po largohet nga emisioni “The Voice”, me të përfunduar sezoni i 23-të i shout të transmetuar në NBC.

Këngëtari 46-vjeçar i cili ka shërbyer në rolin e anëtarit të jurisë së këtij talent shou nga fillimi, përmes një komunikate për media tha: “Kam një kohë që po luftoj me këtë dhe kam vendosur që është koha e duhur të largohem nga ‘The Voice’, pas sezonit të 23-të. Ky spektakël ma ka ndryshuar jetën për të mirë në çdo mënyrë dhe do të jetë gjithmonë shtëpia ime e dytë. Ka qenë një rrugëtim i jashtëzakonshëm, këto 12 vjetët e fundit duke qëndruar i ulur në këtë karrige, prandaj dua t’i falënderojë të gjithë personat prapa realizimit të ‘The Voice’, çdo producent, skenaristë, muzikantë, pjesëtarë të ekipit. Jeni më të mirët”.

Gjatë 12 vjetëve të këtij shou, këngëtari i muzikës country ka triumfuar tetë herë, me ç’rast konkurrentët e tij e kanë fituar garën muzikore.

Aktualisht është duke u zhvilluar edicioni i 22-të i emisionit shumë të shikuar në NBC, ku krahas Sheltonit, anëtarë të jurisë janë edhe yjet, John Legend, Camila Cabello dhe Gwen Stefani.

Ndërsa në edicionin e ardhshëm dhe të fundit për Blake Sheltonin, si mentorë të konkurrentëve të “The Voice” do të shërbejnë, Kelly Clarkson, Niall Horan dhe Chance the Rapper.