Showbiz

Vdiq aktorja Eileen Ryan, nëna e Sean Pennit

Aktorja, Eileen Ryan, njëherësh nëna e aktorëve Sean dhe Christopher Penn dhe muzikantit, Michael Penn, ka vdekur të dielën (9 tetor) në shtëpinë e saj në Malibu, vetëm disa javë para se të festonte ditëlindjen e 95-të.

Ryan u takua me aktorin Leo Penn në vitin 1957 gjatë provave të shfaqjes teatrale “The Iceman Cometh”. Ata u kurorëzuan vetëm disa muaj më vonë, martesë kjo e cila zgjati 41 vjet, deri në vdekjen e Leo Pennit në vitin 1998.

Nga paraqitja e saj e parë televizive në vitin serialin e vitit 1955, “Goodyear Television Playhouse”, Ryan e gëzoi një karrierë stabile dhe profilizuese për disa dekada, duke u angazhuar me role të vogla në projekte të tilla si, “The Twilight Zone”, “Bonanza”, “The Detectives”, “Ben Casey”, “Marcus Welby”, “M.D.”, “Little House on the Prairie”, “Ally McBeal”, “NYPD Blue”, “ER”, “CSI”, “Men of a Certain Age” dhe “Grey’s Anatomy”.

Në ekran të madh ajo u paraqit në filma të tillë si, “Parenthood”, “At Close Range”, “Benny & Joon” dhe disa projekte të djemve të saj përfshirë këtu, “At Close Range”, “I Am Sam”, “The Indian Runner” dhe “The Crossing Guard”.

Vdekja e saj u bë e ditur nga zëdhënësi i familjes. Informacione shtesë, duke përfshirë shkakun e vdekjes, nuk janë zbuluar ende për publikun e gjerë, shkruan portali “Deadline”.

Në vitin 2006, Eileen e humbi djalin e saj aktor, Christopher Penn, i cili u gjet i vdekur në apartamentin e tij në Santa Monica.