Showbiz

Charlie Hunnam, protagonist i serialit “Shantaram”

Charlie Hunnam është i tmerruar dhe për arsye të duhura. Ylli i serialit, “Sons of Anarchy”, vjen si protagonist dhe producent i projektit të ri të krijuar nga platforma Apple TV+, “Shantaram”, i cili bazohet në romanin bestseller të vitit 2005 të autorit, Gregory David Roberts.

I bazuar pjesërisht në jetën reale të shkrimtarit, “Shantaram” e rrëfen historinë e Linit, një i dënuar që arratiset nga një burg australian dhe e gjen shpirtin e tij të humbur në Indi.

“Pse kam frikë? Sepse ky është një nga romanët më të mirë të shkruar ndonjëherë. Ne jemi munduar ta sjellim versionin tonë të kësaj historie në ekran të madh, i cili do të jetë shumë ndryshe. Sepse kur e lexon një roman, veçanërisht një roman të gjatë dhe ia dedikon disa muaj shkrimit të skenarit, atëherë ai tregim bëhet i yti dhe ajo eksperiencë e jotja. Prandaj, çfarëdo që kemi bërë, nuk do të përputhet domosdoshmërish me atë që mund të jetë pritshmëria juaj, por shpresojmë se në thelb i kemi bërë drejtësi kësaj vepre”.

Sikur sfida e jetësimit të 980 faqeve të librit të mos ishte mjaftueshëm, realizatorët e serialit u përballën edhe me disa pengesa të tjera jo të zakonshme.

“Jemi dashur t’i tejkalojmë shumë pengesa me kërkesat aktuale fizike të xhirimit të serialit. Kemi xhiruar në shumë vende, në Australi, në të gjithë Indinë dhe më pas në disa zona të ndryshme të Tajlandës. Dhe të gjitha xhirimet kanë zënë vend gjatë periudhës së pandemisë. Në vitin 2019, i xhiruam dy episode e para të serialit, donim të ktheheshim në studio dhe të shikonim se a kemi bërë punë të mirë dhe çfarë duhej përmirësuar. Më pas, plani ishte t’i ktheheshim punës për xhirimin e tetë episodeve tjera, por bota u mbyll. Prandaj, na u deshën dy vjet që gjithçka të fillonte së funksionuari, dhe po i bënim planet për të shkuar në Indi. Por, kur përfunduan të gjitha përgatitjet, planprogrami ishte krijuar dhe ishim gati për t’u futur në aeroplan dhe të udhëtonim për në Indi, varianti Delta i koronavirusit e goditi këtë shtet dhe gjithçka u mbyll. Tailanda asnjëherë nuk ishte pjesë e planit tonë për të xhiruar atje, por këto janë vështirësitë dhe sfidat me të cilat u desh të përballemi për ta ekranizuar një projekt të madh dhe ambicioz. Kjo po ashtu ishte puna ime e parë profesionale si producent. Prandaj, një pjesë e madhe e këtyre problemeve ishin përgjegjësia ime për t’i zgjidhur, dhe mund të them se ishte një sfidë jashtëzakonisht e madhe për mua personalisht”.

12 episodet e sezonit të parë të serialit e mbulojnë vetëm një të tretën e romanit, “Shantaram”, çka nënkupton se do të duhet të realizohen edhe dy sezone tjera për të arritur në përfundimin e librit.

“Shpresojmë që ky serial të jetë i suksesshëm dhe të kemi mundësi të vazhdojmë ta rrëfejmë këtë histori. I kemi edhe 20 deri në 30 orë të tregimit që do të donim t’i sjellim në ekran për publikun e gjerë. Prandaj, shpresojmë që do ta kemi mundësinë ta bëjë këtë gjë”.

“Shantaram” debuton në platformën Apple TV+, më 14 tetor 2023.