Showbiz

Aktoret franceze prenë flokët në mbështetje të grave iraniane

Aktoret fituese të çmimit Oscar, Marion Cotillard dhe Juliette Binoche, si dhe yje të tjerë të ekranit e muzikës franceze, filmuan veten duke i prerë flokët e tyre në një video të postuar të mërkurën në mbështetje të protestueseve në Iran.

"Për liri", tha Binoche ndërsa preu flokët.

Videoja vjen pasi Irani është përfshirë nga protestat antiqeveritare. Ato u ndezën nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini pas arrestimit të saj për shkelje të kodit të rreptë të veshjes së Republikës Islamike, raportoi AP. 

Disa nga demonstrueset iraniane kanë prerë publikisht flokët në protesta dhe ky veprim është përhapur.

Imazhet e grave që presin flokët nëpër botë për të treguar solidaritet me gratë iraniane janë bërë virale – nga këngëtarja turke Melek Mosso në skenë javën e kaluar, te gratë në Liban dhe Siri, te ligjvënësja suedeze Abir Al-Sahlanion në sallën e Parlamentit Evropian në Strasburg të martën. Një muze në Romë po mbledh tufa flokësh për t'i paraqitur në Ambasadën iraniane.

Disa gra të tjera që u përfshinë në video ishin aktoret Charlotte Rampling dhe Charlotte Gainsbourg.