Rok bendi i njohur britanik, “Coldplay”, e ka bërë të ditur lajmin se po i shtynë datat e disa koncerteve, që janë pjesë e turneut të tyre të fundit botëror, për shkak se vokalisti i grupit, Chris Martin, është prekur nga një infeksion serioz i mushkërive, shkruan “The Guardian”.
Përmes një deklarate të postuar në rrjetet sociale dhe në ueb faqen e bendit, rokerët u shprehën të zhgënjyer për këtë veprim dhe bënë të ditur se tetë koncertet e shtyra, të gjitha të planifikuara të mbaheshin në Rio de Janeiro dhe São Paulo të Brazilit, do të do të riplanifikohen për në fillim të vitit 2023.
45-vjeçari Martin, është diagnostikuar me infeksion në mushkëri dhe nën urdhrat e rrepta të mjekut është detyruar të pushojë për tri javët e ardhshme.
“Ne po punojmë që sa më shpejt që të jetë e mundur t’i caktojmë datat e reja të koncerteve, dhe do të vazhdojmë të ndajmë më shumë informacione në ditët në vijim. Jemi shumë mirënjohës për mirëkuptimin tuaj në këtë kohë sfiduese, ku duhet t’i japim përparësi shëndetit të Chrisit. Jemi optimistë që pas pushimit mjekësor, ai do të kthehet me shëndet të mirë dhe presim ta rifillojmë turneun së shpejti”, shkruhej në deklaratën për media të lëshuar nga grupi.
“Coldplay” është duke realizuar koncerte anembanë botës si pjesë e turneut të tyre masiv, “Music of the Spheres”, i cili filloi në muajin mars dhe pritet të përfundojë në korrik të vitit të ardhshëm.
Performanca e tyre e radhës live është caktuar për datën 25 tetor në Argjentinë, ku do t’i mbajnë gjithsej 10 koncerte.