Showbiz

Kanye West, pjesë e sfilatës së markës “Balenciaga”

Reperi Kanye West debutoi si model i pasarelave, duke e përfaqësuar markën e veshjeve “Balenciaga” në javën e modës në Paris.

Ye e shënoi paraqitjen e tij, e cila nuk ishte lajmëruar paraprakisht, në fund të sfilatës. Veshja e reperit përputhej me temën distopike të koleksionit të ri të “Balenciagas”, derisa vetë skena ku parakalonin modelët ishte një pellg i cekët me baltë, që ngjasonte me një fushëbetejë.

 

 

Përmes një deklarate për media të lëshuar në të njëjtën kohë me sfilatën, drejtori kreativ i kësaj marke të modës, Demna, zbuloi se ka vendosur që tanie tutje të mos i shpjegojë koleksionet e tij apo t’i verbalizojë dizajnet e veshjeve, por thjeshtë përmes tyre ta shprehë një gjendje shpirtërore.

“Moda është art vizual dhe gjithçka që na duhet është që ajo të shikohet përmes pikëpamjes së dikujt tjetër. Koleksionet e modës nuk kanë nevojë të shpjegohen në mënyrë që t’i shiten dikujt. Njerëzve mund të ju pëlqejnë kreacionet e mia ose jo. Skenari i kësaj sfilate është një metaforë për të gërmuar për të vërtetën dhe për të qenë me këmbë në tokë. Le t’i lëmë të gjithë njerëzit të jenë ata që duan të jenë, dhe të ofrojmë më shumë dashuri dhe jo luftë”, thuhej në deklaratën e disenjatorit.

Kanye dhe marka e modës “Balenciaga” tashmë e kanë një histori, dhe partneritet i tyre vazhdon me koleksionin e tretë të krijuar së bashku, “Yeezy Gap Engineered By Balenciaga”, i cili doli në shitje në muajin shtator.