Showbiz

Përmes muzikës, Shakira shprehet rreth raportit me Gerard Piquén

Ylli latin i muzikës, Shakira, besohet se i referohet raportit me ish të dashurin, Gerard Piqué, në këngën e saj të fundit, “Te Felicito”.

Këngëtarja 45-vjeçare e lindur në Kolumbi, në këngën e saj të re në gjuhën spanjolle dëgjohet duke thënë: “E kam thyer veten në copa vetëm për të të bërë ty të plotë, jam paralajmëruar për këtë por nuk ua vura veshin të tjerëve, mos më thuaj se të vjen keq, sepse të njoh mirë dhe e di që po gënjen”.

E pyetur për këto vargje në një intervistë për revistën “Elle”, Shakira tha: “Thjeshtë mund të them se me vetëdije ose nënndërgjegjeshëm, gjithçka që ndjej apo e përjetoj, pasqyrohet në tekstet që i shkruaj dhe në videot e mia muzikore. Kur historia përshtatet, përshtatet. Siç thashë më parë, muzika ime është kanali që më ndihmon t’i shprehi ndjenjat”.

Shakira, emri i vërtetë i së cilës është Shakira Isabel Mebarak Ripoll, po ashtu duket se e shfrytëzon videoklipin e këngës, “Monotonia”, për ta shprehur zemërthyerjen e saj.

Ylli i hitit “Hips Don’t Lie”, u nda nga futbollisti spanjoll në qershor të këtij viti. Por, thuhet se këngëtarja është shumë e zemëruar që, Piqué, e shkeli një marrëveshje mes tyre, për t’i mbajtur lidhjet e reja larg syrit të publikut për një vit. Ai nuk ka humbur fare kohë për t’ia prezantuar botës të dashurën e re, një studente 23-vjeçare e quajtur Clara Chia Marti, e cila po ashtu punon për të.

Madje, sipas mediave spanjolle, Gerardi e ka tradhtuar Shakiran me të dashurën e tij aktuale.

Ish-çifti i njohur i showbizit i ka dy fëmijë së bashku, Sasha dhe Milan. Ata e filluan lidhjen në vitin 2011, një vit pasi u takuan në sheshin e xhirimeve të videoklipit të hitit të Shakiras, “Waka Waka”.

Në lajme të tjera, të martën (27 shtator), një gjykatë spanjolle e urdhëroi yllin e popit që të dalë në gjyq për një rast mashtrimi fiskal, që mund ta çojë atë në burg për më shumë se 8 vjet.

Këngëtarja 45-vjeqare akuzohet për mos pagim të taksave shtetërore në vlerë prej 14.5 milionë dollarësh, nga viti 2012 deri më 2014. Shakira argumenton se gjatë atyre vjetëve, kaloi shumë pak kohë në Spanjë.

Tani, një gjykatës në Barcelonë e ka urdhëruar këngëtaren që të paraqitet në gjyq, megjithëse nuk është caktuar ndonjë datë për seancat dëgjimore.

Shakira beson në pafajësinë e saj, andaj ka zgjedhur ta lërë këtë çështje në duart e drejtësisë, në vend se ta pranojë marrëveshjen e ofruar nga prokurorët spanjoll, për ta zgjidhur rastin jashtë gjykatës.

Sipas zëdhënësve të këngëtares, ajo e ka depozituar shumën, që thuhet se i detyrohet shtetit, në Agjencinë Spanjolle të Taksave dhe nuk ka borxhe tatimore në pritje.

Në rast se shpallet fajtore për evazion fiskal, Shakira përballet me gjobë dhe dënim me burg.

{gallery}