Kanë kaluar tre muaj qëkur Shakira dhe futbollisti spanjoll, Gerard Piqué konfirmuan ndarjen e tyre dhe tani këngëtarja e "Hips Don't Lie", ka folur për herë të parë për prishjen e lidhjes.
"Ndjehem sikur në këtë moment të jetës sime, që është ndoshta një nga orët më të vështira dhe më të errëta të jetës sime, muzika ka sjellë dritë”, tha Shakira në një intervistë për “Elle” të botuar të mërkurën.
“Kam qëndruar e heshtur dhe thjesht jam përpjekur t’i përpunoj të gjitha. Epo, është e vështirë të flasësh për këtë, veçanërisht sepse jam ende duke e kaluar dhe sepse jam në sy të publikut, dhe sepse ndarja jonë nuk është si një ndarje e rregullt. Dhe kështu ka qenë e vështirë jo vetëm për mua, por edhe për fëmijët e mi. Tepër e vështirë”, është shprehur këngëtarja me prejardhje kolumbiane.
Ajo ka shprehur shqetësimin për paparacët që e ndjekin kudo dhe për lajmet që qarkullojnë nëpër internet, derisa ka shtuar se qëllim kryesor ka mbrojtjen e fëmijëve të saj.
“Kam kamping të paparacëve jashtë, përballë shtëpisë sime, 24/7. Dhe nuk ka vend ku mund të fshihem prej tyre me fëmijët e mi, përveç shtëpisë sime. E dini, ne nuk mund të bëjmë një shëtitje në park si një familje e zakonshme ose të shkojmë të hamë një akullore ose të bëjmë ndonjë aktivitet pa na ndjekur paparacët. Kështu që është e vështirë. Dhe unë jam përpjekur ta fsheh situatën para fëmijëve të mi. Mundohem t'i mbrojë ata, sepse ky është misioni im numër një në jetë. Por më pas ata dëgjojnë gjëra në shkollë nga miqtë e tyre ose hasin në disa lajme të papëlqyeshme dhe të pakëndshme në internet. Kjo thjesht i prek ata”, ka deklaruar këngëtarja e famshme.
Shakira shtoi se ndihet sikur e gjithë kjo është një "ëndërr e keqe" nga e cila do të zgjohet përfundimisht.
“Por jo, është e vërtetë. Dhe ajo që është gjithashtu e vërtetë, është zhgënjimi për të parë diçka aq të shenjtë dhe aq të veçantë sa mendoja se ishte marrëdhënia që kisha me babanë e fëmijëve të mi dhe e shoh që u kthye në diçka të vulgarizuar nga media. Dhe e gjithë kjo, ndërsa babai im ka qenë në kujdes intensiv dhe unë kam luftuar në fronte të ndryshme. Siç thashë, kjo është ndoshta ora më e errët e jetës sime. Por pastaj mendoj për të gjitha ato gra anembanë botës që po kalojnë vështirësi, që po kalojnë një situatë aq të keqe sa imja”, ka shtuar Shakira.
Shakira u takua me mbrojtësin e Barcelonës ndërsa ajo po promovonte himnin e saj të Kupës së Botës 2010, "Waka Waka”.