Aktori më i kërkuar i momentit, Timothee Chalamet, thotë se është e vështirë të jetosh në epokën e rrjeteve sociale.
Ylli 26-vjeçar i Hollywoodit e urren të ndihet i gjykuar ashpërsisht nga platformat online, madje edhe sugjeroi se rrjetet sociale mund të çojnë në një “kolaps shoqëror”, raportoi të hënën portali “Female”.
Gjatë vizitës së tij të fundit në Festivalin ndërkombëtar të filmit në Venecie, Timothee e realizoi një intervistë ku ndër të tjera tha: “Të jesh i ri sot apo kurdo qoftë, dhe unë mund të flas vetëm për gjeneratën time, është shumë e vështirë pasi je vazhdimisht i gjykuar”.
Timothee diskutoi urrejtjen e tij për mediat sociale gjatë promovimit të filmit të fundit, “Bones and All”, ngjarja e së cilit zhvillohet në vitet ‘80 dhe e sjell atë dhe aktorin, Taylor Russell, në rolin e dy të dashuruarve kanibalë të cilët e fillojnë një udhëtim nëpër Shtetet e Bashkuara.
“Pa dashur të jem paragjykues, mendoj se është vështirë të jetosh në ditët e sotme. Mendoj që, për shkak të mediave sociale, kolapsi shoqëror është afër. E them këtë pa ndonjë pretendim. Prandaj shpresoj që filmat kanë rëndësi, sepse ky është roli i një artisti, që ta tërheq vëmendjen e publikut rreth asaj që po ndodhë përreth nesh”, deklaroi ylli i filmit “Dune”.
Timothee Chalamet, i cili i kishte ndërprerë studimet në kolegj për ta ndjekur një karrierë filmike, ka arritur që për një kohë të shkurtër të bëhet një nga aktorët më të kërkuar në Hollywood.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.