Showbiz

Ndahet çifti Leonardo DiCaprio dhe Camila Morrone

Ylli i njohur i kinematografisë, Leonardo DiCaprio dhe modelja, Camila Morrone, i kanë dhënë fund lidhjes katër vjeçare, raporton revista “People”.

Aktori i shpërblyer me “Oscar” dhe modelja dhe aktorja 25-vjeçare, shquheshin për ruajtjen e privatësisë dhe rrallë herë shfaqeshin së bashku në publik. Ata e filluan lidhjen në janar të vitit 2018 kurse debutuan si çift në shkurt të vitit 2020, kur u fotografuan pranë njëri-tjetrit në ceremoninë e shpërblimeve akademike.

Zëdhënësit e dyshes kanë refuzuar të komentojnë rreth lajmit të ndarjes.

DiCaprio dhe Morrone, për herë të fundit u panë së bashku në Ditën e Pavarësisë së Amerikës, teksa kalonin qaste romantike në një plazh në Malibu.

Image

Gjatë një interviste me gazetën “Los Angeles Times” të realizuar në dhjetor të vitit 2019, Camila foli për dallimin në moshë mes saj dhe të dashurit, DiCaprio.

“Ekzistojnë aq shumë lidhje në Hollywood dhe në historinë e botës, ku njerëzit kanë dallime të mëdha në moshë. Thjeshtë, mendoj që secili duhet të ketë të drejtë ta dashurojë kë të dojë”.

Tutje, aktorja dhe modelja e famshme deklaroi se zemërohet shumë për faktin se publiku e identifikon vetëm si të dashurën e Leonardo DiCaprios.

Morrone së shpejti vjen me rol në serialin e ardhshëm të platformës Prime Video, “Daisy Jones & The Six”, i cili është adaptuar nga romani bestseller i autores, Taylor Jenkins Reid.

DiCaprio ribashkohet me regjisorin ikonik, Martin Scorsese, në filmin e tij të ri, “Killers of the Flower Moon”, i cili po ashtu bazohet në librin e njohur të autorit David Grann. Ai e sjell historinë e vrasjeve brutale të fisit indian “Osage”, ngjarje kjo e cila kishte ndodhur në Oklahoma gjatë viteve ‘20. Vrasjet kishin ndodhur pasi në tokat e këtij fisi ishin zbuluar depozita të mëdha të naftës. Filmi i Scorseses e përmban një buxhet të realizimit prej 200 milionë dollarësh, dhe besohet se është projekti më i shtrenjtë i regjisorit deri më sot.