Showbiz

“Pink Venom” e rikthen me sukses grupin “BLACKPINK”

Pritja merr fund për gjithë adhuruesit e grupit “BLACKPINK”. Kënga e tyre e shumëpritur që e shënon rikthimin e vajzave në skenë, “Pink Venom”, tashmë është publikuar në platformat muzikore dhe i numëron më shumë se 50 milionë klikime në YouTube, në 10 orët e para të lansimit.

Videoprojekti i ri shërben si prezantimi i parë zyrtarë i albumit të dytë të grupit, “Born Pink”, i cili lansohet më 16 shtator të këtij viti, raportoi të premten “Billboard”.

Me këngën e tyre të re, Jisoo, Jennie, Rosé dhe Lisa, e kanë hapur një sfidë për gjithë adhuruesit e tyre në YouTube, duke i inkurajuar për t’i postojnë videot që i shfaqin aftësitë e tyre në vallëzim. Ata po ashtu do ta pranojnë një befasi nga këngëtaret.

“Jemi të lumtura që e kemi realizuar edhe një bashkëpunim të suksesshëm dhe të rëndësishëm me platformën YouTube. Shpresojmë që do të mund t’i kemi disa evente të veçanta me fansat tonë përmes sfidës #PinkVenomChallenge”, shkruhej në deklaratën e grupit të lëshuar për media.

“BLACKPINK” do të performojë këngën e re, “Pink Venom”, në edicionin e sivjetmë të ceremonisë shpërblyese, “MTV Video Music Awards”, e cila mbahet më 28 gusht.

Po ashtu, Jisoo, Jennie, Rosé dhe Lisa, do ta promovojë albumin e dytë të incizuar në studio, “Born Pink”, me një turne botëror, i cili po cilësohet si turneu më i madh botëror në historinë e një grupi vajzash të muzikës K-pop.