Ylli i kinematografisë, Johnny Depp, do të rikthehet në rolin e regjisorit pas 25 vjetësh, me filmin e ardhshëm biografik, “Modigliani”.
Aktori i cili në vitin 1997 debutoi si regjisor me filmin, “The Brave”, ku po ashtu luaji krahas Marlon Brandos, e bëri të ditur lajmin se po kthehet prapa kamerës për herë të dytë, për një film i cili flet për jetën e artistit italian, Amedeo Modigliani.
Përmes një komunikate për media, Depp tha: “Historia e jetës së Mr. Modiglianit është vërtetë e veçantë dhe unë ndihem jashtëzakonisht i nderuar që do ta sjell atë në ekran të madh. Ishte një jetë me vështirësi të mëdha, por eventualisht përfundoi me triumf, një histori universale njerëzore me të cilën mund të identifikohen të gjithë shikuesit”.
I bazuar në shfaqjen e Dennis McIntyre, filmi i ardhshëm “Modigliani”, do ta rrëfejë historinë e piktorit dhe skulptorit të famshëm në Parisin e vitit 1916. Depp po ashtu shërben si bashkëproducent i projektit, krahas yllit hollywoodian, Al Pacino.
Sipas portalit “NME”, xhirimet e tij pritet të fillojnë në Evropë, në pranverë të vitit të ardhshëm. Së shpejti pritet të zbulohen edhe emrat e kastës së aktorëve.
Depp së fundmi e zbuloi rolin e tij të ardhshëm, që është ai i mbretit kontrovers, Louis XV, në filmin romantik të titulluar, “Jeanne du Barry”.
I realizuar nga regjisori francez, Maïëenn, i cili po ashtu e luan në të, filmi e rrëfen historinë e Jeanne du Barry, dashnorja e fundit e Mbretit Louis, e cila nga klasa punëtore u ngjit në hierarkinë sociale për t’u bërë e dashura e monarkut. Xhirimet e këtij projekti filluan në fund të muajit korrik në Paris dhe në regjionin e Île-de-France, pak kohë pasi Depp e fitoi rastin gjyqësor kundër ish-gruas, Amber Heard.
Filmi “Jeanne du Barry” pritet të fillojë së shfaquri fillimisht në platformën Netflix, e më pas të lansohet nëpër kinema.
Po ashtu, së fundmi, aktori i fitoi më shumë se 3 milion funte nga shitja e koleksionit të veprave të artit të krijuara nga ai, ku përfshiheshin portretet e të famshmëve, Keith Richards, Bob Dylan, Elizabeth Taylor dhe Al Pacino.