Ylli i muzikës, Dua Lipa, ka vazhduar të qëndrojë në Kosovë edhe pas përfundimit të festivalit “Sunny Hill”.
Ajo madje ka gjetur kohë për ta mbështetur artin bashkëkohor, duke e vizituar ngjarjen e veçantë që po mbahet në kryeqytet, “Manifesta 14”.
“Dje e vizitova Bienalen ‘Manifesta’ që aktualisht po mbahet në Prishtinë. Ka instalacione të pabesueshme arti dhe ekspozita publike në të gjithë qytetin, por veçanërisht në vende që kanë nevojë për pak dashuri dhe vitalitet. Ekspozita kryesore po mbahet në hotelin ‘Grand’ i cili është pothuajse i braktisur, me përjashtim të organizimit të disa ngjarjeve private. Është një ekspozitë e mahnitshme e cila po i mirëpret artistët nga Kosova dhe vende të ndryshme të botës. Ju sugjeroj që nëse nuk e keni vizituar ende atë, ta fusni në listën e gjërave që duhet t’i bëni patjetër në Prishtinë gjatë kësaj vere”, shkroi Lipa në mesazhin e postuar në Instagram, të shoqëruar edhe me disa fotografi të shkrepura në këtë ngjarje.
Këngëtarja me prejardhje kosovare dhe famë botërore, pritet që së shpejti të udhëtojë drejt Tiranës, ku do të mbahet pjesa tjetër e festivalit të organizuar nga Dua dhe babai i saj, Dukagjin Lipa.
Ende nuk janë bërë të ditur emrat e artistëve që do të performojnë në kryeqytetin shqiptar, më 26, 27 dhe 28 gusht.