Regjisori i njohur danez, Lars von Trier, i shquar për filma të tillë si, “Dancer in the Dark”, “Dogville” dhe “Melancholia”, është diagnostikuar me sëmundjen e Parkinsonit në moshën 66-vjeçare, raporton portali “The Hollywood Reporter”.
Kompania filmike e regjisorit kontrovers, “Zentropa”, të hënën (8 gusht) e konfirmoi lajmin që Lars është diagnostikuar me çrregullimin neurodegjenerativ, por bëri të ditur se si është në gjendje shpirtërore të mirë dhe po trajtohet për simptomat e tij.
Përmes një deklarate për media, “Zentropa” e informoi publikun se regjisori do ta përfundonte punën rreth sezonit të tretë dhe final të serialit të zhanrit horror, “The Kingdom Exodus”, i cili do ta ketë premierën botërore në festivalin e filmit në Venecie më 31 gusht. Sidoqoftë, u bë e ditur se Lars von Trier do të realizojë konferenca të limituara për media, për ta promovuar këtë projekt.
Von Trier tashmë njihet si një person i cili heziton të realizojë intervista me gazetarët, nga konferenca famëkeqe e shtypit për filmit “Melancholia” në vitin 2011, kur regjisori duke bërë shaka deklaroi se e “simpatizonte” Adolf Hitlerin. Shakaja e tij nuk i prit mirë nga të pranishmit në sallë dhe publiku i përgjithshëm, dhe kjo bëri që organizatorët e festivalit të filmit në Kanë t’ia heqin atij të drejtën e pjesëmarrjes në këtë ngjarje për shtatë vjet. Po ashtu u iniciua një hetim policor ndaj Trierit për “banalizimin e Holokaustit”, që konsiderohet vepër kriminale në Francë. Hetimet pushuan, pa u ngritur ndonjë akuzë ndaj regjisorit danez.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.