Showbiz

Vdiq aktorja që debutoi një muaj më parë në filmin për Elvis Presleyn

Aktorja Shonka Dukureh, e cila së fundmi bëri debutimin e saj në ekranin e madh si Big Mama Thornton në filmin e ri “Elvis” të Baz Luhrmann, ka vdekur në moshën 44-vjeçare.

Dukureh u gjet e vdekur të enjten në një dhomë gjumi në shtëpinë e saj në Nashville, të cilën e ndante me dy fëmijët e saj të vegjël, raportoi të premten The Guardian.

Njëri prej fëmijëve e gjeti atë të pavetëdijshme dhe shkoi në banesën e një fqinji, i cili telefonoi emergjencën. Policia tha se nuk kishte asnjë shenjë të dhunës. Rezultatet e autopsisë janë në pritje nga eksperti mjekësor.

Dukureh portretizoi këngëtaren Big Mama Thornton në filmin biografik të Elvis Presleyt, i cili u lëshua në mbarë botën në qershor.

Performanca e Dukureh në këngën Hound Dog, të cilën Thornton e regjistroi në vitin 1952, katër vjet para Presleyt, u bë virale në internet pas publikimit të filmit.