Showbiz

Christian Bale me performancë të shkëlqyer në filmin “Thor: Love and Thunder”

Aktori shumë i dashur nga publiku, Christian Bale, thotë se personazhin e lig në filmin “Thor: Love and Thunder”, Gorr the God Butcher, e ka portretizuar si një murgeshë paksa e çmendur.

Ylli 48-vjeçar i hollywoodit shquhet për sfidimin e vetes në aspektin fizik, gjatë gjithë karrierës së tij filmike. Shpesh për rolet e tij, Bale ka humbur ose shtuar sasi të madhe të peshës, për t’iu përshtatur sa më mirë personazheve të cilat i sillte në ekran të madh.

Për projektin e ri të regjisorit Taika Waititi, sfida me të cilën aktori u përball erdhi nga kostumi dhe grimi.

“Ishte vështirë të aktroja nga thonjtë e gjatë dhe rrobat që duhej t’i vishja për portretizimin e këtij roli. E pastaj më duhej të sillesha si një person i çmendur, gjë që është e zakonshme për një aktor, por pavarësisht se e dija që ky personazh ishte një përbindësh, ai sërish ishte një burrë i cili vuante për dashuri. Pra, në njëfarë mënyre, teksa e luaja rolin ndihesha sikur isha një lloj murgeshe e çmendur”.

Tutje, Bale tregoi se për t’u përgatitur për këtë rol i është dashur t’i kalojë rreth katër orë në dhomën e grimit.

“Sjelljen e këtij personazhi në ekran e kisha të pamundur ta arrija i vetëm. Dhe patjetër që meritat më të mëdha për krijimin e këtij roli i takojnë artistëve të grimit. Në fakt, ishte një bashkëpunim i mrekullueshëm me ta të cilin e kam shijuar vërtetë. Kërkohej shumë kohë dhe përkushtim për t’u bërë gati për portretizimin e Gorrit në këtë projekt, por gjëja kryesore që më ndihmonte të futesha disi në botën e tij, ishte muzikës. Dhe ky mbetet një nga kujtimet më të bukura për mua nga gjithë kjo eksperiencë. Një muzikant të cilin e dëgjonim gjatë kohës së vendosjes së grimit ishte, Bruce Haack. Besoj se në vitet ’70, kur ai ishte në kulmin e karrierës, e krijoi albumin ‘The Electric Lucifer’. Bruce ishte një person jashtëzakonisht unik dhe ishte shumë i ngjashëm me Gorrin, prandaj e shijonim muzikën e tij. Kur shkoja në sheshin e xhirimeve, Taika shpesh e lëshonte albumin ‘Tubular Bells’. Muzika e luante një rol të madh në procesin e punës së Taikas”, deklaroi Bale.

Në filmin “Thor: Love and Thunder” luajnë edhe aktorët Chris Hemsworth, Natalie Portman, Tessa Thompson dhe Chris Pratt. Filmi fillon së shfaquri nëpër kinematë amerikane nga 8 korriku.