Showbiz

Billie Eilish dhe Finneas pranojnë ftesë nga Akademia e Arteve dhe Shkencave

Descriptive Text

Këngëtarja Billie Eilish dhe vëllai i saj muzikant, Finneas, të cilët e fituan një çmim “Oscar” në edicionin e fundit të kësaj ceremonie, për krijimin e kolonës zanore të filmit me agjentin James Bond, janë ftuar t’i bashkohen Akademisë së Arteve dhe Shkencave.

Të martën mbrëma (28 qershor), Akademia e zbuloi listën e plotë me 397 të ftuar në bordin e saj, ku përfshihen aktorë, regjisorë, muzikantë, producentë, redaktorë filmash dhe më shumë.

Billie Eilish dhe Finneas sigurisht e kryesojnë listën e kategorisë së muzikës, pas triumfit të madh në kategorinë “Kënga më e mirë origjinale”, për këngën “No Time To Die”. Me këtë fitore, Eilish u bë artistja më e re në moshë që i fiton tri shpërblimet kryesore për muzikë filmi, “Oscar”, “Grammy” dhe “Globi i Artë”.

Muzikantët e tjerë të ftuar për t’u bërë anëtarë të Akademisë së Arteve dhe Shkencave janë, kompozitorët Amie Doherty, Lili Hadyn, Leo Heiblum, Natalie Holt, Nathan Johnson, Jacobo Lieberman, Ariel Rose Marx dhe Hesham Nazih.

Ndër emrat e yjeve të showbizit që sivjet kanë pranuar ftesë nga Akademia, e cila e organizon ceremoninë më të rëndësishme të kinematografisë, janë: Anya Taylor-Joy, Ariana DeBose, Jamie Dornan, Troy Kotsur dhe të tjerë.

Në lajme të tjera, javën e kaluar Billie Eilish u bë artistja më e re në histori që ishte ndër performuesit kryesor në festivalin e muzikës “Glastonbury”.

Para interpretimit të saj, Eilish në një deklaratë për portalin “NME”, tregoi se ndihet e nderuar që ka qenë pjesë e këtij festivali ikonik.