Showbiz

“Top Gun: Maverick” i arkëton 1 miliard dollarë në arkat filmike botërore

Filmi “Top Gun: Maverick” vazhdon të thyej barriera në arkat filmike.

Në fundjavën që e lamë pas, filmi i ri i yllit hollywoodian, Tom Cruise, arriti të shënojë suksese të jashtëzakonshme duke i arkëtuar 1 miliardë dollarë nga shfaqja nëpër kinematë botërore. Kjo është një arritje e veçantë për projektin e studiove filmike, “Paramount” dhe “Skydance”, raportoi të hënën portali “Deadline”.

Me fitimin e 1 miliard dollarëve nga shitja e biletave nëpër kinema për vetëm 31 ditë, “Top Gun: Maverick” bëhet filmi i dytë që e shënon këtë arritje në kohë pandemie. Gjithashtu ky është filmi më fitimprurës i aktorit Tom Cruise.

“Top Gun: Maverick” vjen i realizuar nga regjisori Joseph Kosinski. Besohet se realizimi i tij ka kushtuar gjithsej 152 milionë dollarë.

Filmi e sjell yllin hollywoodian, Cruise, duke e përsëritur rolin e pilotit, Pete ‘Maverick’ Mitchell. Ai rikthehet në programin elitar të trajnimit të aviacionit për ta trajnuar brezin e ardhshëm të fluturuesve. Rolet e pilotëve të rinj i luajnë aktorët: Miles Teller, Glen Powell, Monica Barbaro, Greg Tarzan Davis, Danny Ramirez, Lewis Pullman dhe Jay Ellis.

Jennifer Connelly, Jon Hamm dhe Val Kilmer, po ashtu i përsërisin rolet nga filmi i parë “Top Gun”.

Ndërkohë, vazhdimi i tretë i filmave më dinozaurë, “Jurasic World: Dominion”, po vazhdon të shënojë suksese të kënaqshme në arkat filmike botërore.

Projekti i studios “Universal” në javën e tyre të të lansimit ka arritur t’i arkëtojë më shumë se 747 milionë dollarë nga shitja e biletave nëpër kinematë botërore. Pritet që shumë shpejtë ai ta kapë shumën prej 1 miliardë dollarësh.

Kështu ai është bërë filmi i shtatë që e shënon këtë sukses në kohë pandemie.

Ngjarja e filmit “Dominion” zë vend pesë vjet pas ngjarjeve të zhvilluara në “Fallen Kingdom”. Pas shkatërrimit të ishullit “Isla Nebular”, dinozaurët e pazbutshëm mbesin të lirë nëpër botë. Tani, njerëzit duhet të mësojnë të bashkekzistojnë me krijesat e rrezikshme. Projekti i ri vjen me regji të, Colin Trevorrow, dhe në rolet kryesore i kthehen aktorët yje, Chris Pratt, Bryce Dallas Howard dhe Daniella Pineda. Me role të shkurtra rikthehen edhe disa prej aktorëve të filmave të parë “Jurassic Park”, si Laura Dern, Sam Neil dhe Jeff Goldblum.