Showbiz

Zachary Levi ka pësuar thyerje mendore pesë vjet më parë

Aktori i njohur amerikan, Zachary Levi, ka treguar se para pesë vjetëve kishte pësuar thyerje totale mendore.

Ylli i filmit “Shazam” pothuajse gjithë jetën është ballafaquar me ankthin dhe depresionin, për shkak të traumave të fëmijërisë dhe dyshimeve rreth karrierës së tij, por nuk e kishte kuptuar shkallën e problemeve me shëndetin mendor deri në momentin kur gjendja iu përkeqësua shumë, raporton portali “Female”.

Gjatë një interviste për podcastin “Heart of the Matter”, aktori tha: “Kam gjithë jetën që ballafaqohem me gjëra të ndryshme. Por nuk e kam kuptuar që kam probleme me shëndetin mendor deri në moshën 37-vjeçare, dhe para pesë vjetëve pësova thyerje totale mendore”.

41-vjeçari Levi e kujtoi kohën kur ishte zhvendosur në Austin të Texasit, dhe e kishte problem të fokusohej në detyra të zakonshme ditore, çka i shkaktonte sulme paniku dhe ankthi.

Ylli i filmit të animuar, “Tangled”, kishte mendime vetëvrasëse të cilat ishin bërë edhe më të shpeshta dhe të rënda, pas zhvendosjes në Texas. Prandaj, aktori vendosi të shkojë në spital për të kërkuar ndihmë për trajtimin e kësaj gjendjeje.

“Kisha mendime të vazhdueshme për t’i dhënë fund jetës. Kjo nuk ishte hera e parë që mendoja kështu. Edhe më herët kisha kaluar nëpër situata të tilla që më bënin të kisha mendime të errëta për veten, por besoj se në shumicën e atyre momenteve isha i rrethuar me njerëzit e mi të dashur. Por, pa e menduar mirë e mora vendimin për t’u zhvendosur në Austin. Nuk mendoj se veprova në mënyrën e duhur kur u shpërngula në një vend ku nuk e njihja askënd. Prandaj, në një moment të caktuar, e gjeta veten në këtë qytet të bukur, krejtësisht i vetmuar dhe errësira ma pushtoi mendjen sërish”, deklaroi aktori.

Por me sugjerimin e një miku të mirë, Zachary, vendosi të kërkojë ndihmë në një pavijon psikiatrik, ku për tri javë iu nënshtrua terapisë intensive që ia ndryshoi dhe shpëtoi jetën"

Sot, aktori i serialit “Chuck” i menaxhon problemet e shëndetit mendor me ndihmën e dietës, ushtrimeve, shprehive të mira të gjumit si dhe besimit fetar.

“Lutjet dhe meditimi janë shumë të rëndësishme për mua”, deklaroi Levi.

Intervista e plotë e aktorit do të publikohet më 28 korrik.

Xhirimet e filmit të dytë, “Shazam: Fury of the Gods” besohet se kanë filluar në vitin 2021. Zachary Levi pritet ta përsërisë rolin protagonist të superheroit, Shazam, në filmin e ardhshëm të bazuar në librat komikë “DC Comics”.