Showbiz

U ndanë shpërblimet e përvitshme “BET Awards”

Të dielën mbrëma u mbajt ceremonia e përvitshme e ndarjes së çmimeve, “BET Awards”, dhe përveç muzikantit Sean ‘Diddy’ Combs, i cili u nderua me shpërblim special për arritje jetësore, në skenë u nderuan edhe disa artistë tjerë të famshëm.

Këtë vit, ceremoninë me më së shumti nominime e udhëhoqi reperja, Doja Cat. Ajo ishte nominuar në gjashtë kategori, kurse Drake dhe Ari Lennox me nga katër sosh. Por të gjithë këta artistë nuk arritën të triumfojnë në ndonjërën prej këtyre kategorive, raportoi të hënën portali “Billboard”.

Në fakt, fituesit kryesorë të mbrëmjes ishin dyshja, “Silc Sonic”, e përbërë nga Bruno Mars dhe Anderson Paak. Ata u nderuan me çmimin “Albumi më i mirë”, për incizimin e jashtëzakonshëm “An Evening With Silk Sonic”, si dhe e fituan trofeun “Grupi më i mirë”.

Shpërblimi “Artistja më e mirë R&B dhe pop” shkoi për këngëtaren, Jazmine Sullivan, kurse ylli kanadez i muzikës, The Weeknd, u nderua në kategorinë “Artisti më i mirë R&B dhe pop”.

Ndër fituesit tjerë të mbrëmjes ishin edhe, Megan Thee Stallion, e cila u shpall “Artistja më e mirë hip-hop” dhe Kendrick Lamar, i cili u shpërblye me çmimet “Artisti më i mirë hip-hop” dhe “Videoklipi më i mirë i vitit”, për videoklipin e këngës “Family Ties”.

Sa i përket kategorive për film, çmimi kryesor “Filmi më i mirë” shkoi për “King Richard”, kurse ylli protagonist i këtij projekti, Will Smith, e fitoi çmimin “Aktori më i mirë”. Zendaya triumfoi në kategorinë “Aktorja më e mirë”, për performancat e shkëlqyera në projektet, “Euphoria” dhe “Spider-Man: No Way Home”.

Me çmimet “Sportisti dhe sportistja më e mirë e vitit” u nderuan, basketbollisti Stephen Curry dhe tenistja Naomi Osaka.

Këngëtarja Lizzo ishte ajo e cila e filloi ceremoninë me interpretimin energjik të hitit, “About Damn Time”. Brandy po ashtu e dha një performancë befasuese krahas yllit të muzikës, Jack Harlow, kurse diva e muzikës, Mariah Carey, doli në skenë për të interpretuar me artisten e re, Latto.

Shpërblimet “BET” kanë për qëllim t’i vlerësojnë arritjet e afrikano-amerikanëve në muzikë, film dhe sport.