Platforma gjigante, Netflix, ka shprehur ngushëllime për familjarët e aktorëve të serialit “The Chosen One”, të cilën vdiqën në një aksident trafiku në Baja California. Nga kjo ngjarje tragjike kanë mbetur të lënduar edhe gjashtë persona të tjerë, raportoi të martën portali “Variety”.
“Jemi shumë të pikëlluar nga ngjarja tragjike që i mori jetën aktorëve, Ray Garduno dhe Juan Francisco Gonzalez. Shprehim ngushëllime të sinqerta për më të dashurit e tyre dhe personat tjerë të lënduar në këtë aksident”, deklaroi një zëdhënës i Netflixit për portalin “The Hollywood Reporter”.
“Redrum”, kompania filmike prapa realizimit të serialit të transmetuar në Netflix, po ashtu e ka lëshuar një komunikatë për media ku u shprehën të shokuar nga ky aksident. Tutje ata bënë të ditur se e kanë pezulluar përkohësisht punën rreth shout, si dhe e konfirmuan lajmin se janë duke bashkëpunuar me autoritetet lokale në Meksikë.
Zëdhënësi i kompanisë deklaroi: “Raportet fillestare dhe rrëfimet e dëshmitarëve tregojnë se të gjitha protokollet e sigurisë ishin në vend dhe ky ishte thjeshtë një aksident fatkeq”.
Aktorët, Ray Garduno dhe Juan Francisco Gonzalez, vdiqën si pasojë e plagëve të rënda që i pësuan kur furgoni me të cilin po udhëtonin së bashku me gjashtë pjesëtarë tjerë të ekipit, u përplas dhe u rrotullua. Aksidenti ndodhi në një rrugë të braktisur në afërsi të lokacionit ku po xhirohej seriali i Netflixit. Në momentin e aksidentit, furgoni ishte duke udhëtuar nga Santa Rosalia për në aeroport.
“The Chosen One” bazohet në librat komik të autorëve, Mark Millar dhe Peter Gross. Shou e shënoi premierën në vitin 2019 dhe e rrëfen historinë e një djaloshi 12-vjeçar i cili mëson se është rikthyer në jetë si Jezu Krishti dhe është i destinuar ta shpëtojë njerëzimin.
-
21 qershor 2022 16:49
-
Shpërndaje në: