Portali i njohur, “Billboard”, i cili fokusohet në zhvillimet kryesore në fushën e muzikës, ka shprehur interesim edhe për Dukagjin Lipën, babai i superyllit të muzikës pop, Dua Lipa, si dhe festivalin të cilin ai e organizon në Kosovë, “Sunny Hill”.
Në artikullin e së martës, ka njoftuar publikun mbarë botëror se Qeveria e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës, më në fund i kanë bashkuar forcat për ta mbajtur në shtëpi këtë festival ndërkombëtar, i cili u themelua më 2018.
Duke qenë se para ca ditësh, Dukagjin Lipa bëri të ditur se “Sunny Hill” po zhvendosej në Tiranë, për shkak të mosarritjes së marrëveshjes me autoritetet kosovare për marrjen në shfrytëzim të 17 hektarëve tokë për organizimin e kësaj ngjarjeje kulturore, portali “Billboard”, që shumë shpesh shkruan për arritjet e Dua Lipës, duket se ka vendosur të fokusohet në atë se çfarë po ndodhë me festivalin dhe arsyen pse është larguar nga vendi i origjinës së këngëtares dhe familjes së saj.
Në këtë shkrim potencohet se “Sunny Hill” rikthehet në Kosovë, dhe tashmë kanë filluar përgatitjet për një edicion special të festivalit me artistë të ndryshëm ndërkombëtarë dhe kombëtarë, si Diplo, Skepta, DJ Regard, AJ Tracey, Mahmood, Burak, Elvana Gjata, Kida, Ledri Vula, Gheto Geasy dhe të tjerë.
“Sunny Hill” i ka sjellë Kosovës publicitet të paçmuar. Festivali u pezullua në vitin 2020 dhe 2021 për shkak të pandemisë së koronavirusit, prandaj pritet që ky edicion të përcjellët nga një numër i madh i të rinjve.
Këtë vit, “Sunny Hill” do të mbajë një edicion edhe në Tiranë, në fund të gushtit.